Mijëra njerëz u derdhën në sheshin para “Duomos” në Milano, për të festuar fitoren e titullit kampion nga ana e Interit, trofe ky, që në ambientin zikaltër mungonte prej 11 vitesh.

Por, numri i madh i tifozëve atë ditë ka shqetësuar jo pak autoritetet vendase, kjo për shkak të infektimit të mundshëm me COVID-19. Shqetësimi i tyre ende nuk ka përfunduar, pasi të shtunën, në orën 18:00 Interit pret në San Siro Samdorian, e po në atë ditë, është planifikuar që Interit t’i dorëzohet titulli kampion.

Autoritetet kanë nisur që tani nga puna dhe kanë planifikuar një zonë rreth 15 mijë metrash katrorë para stadiumit “San Siro”, ku pritet të lejohen 3000 tifozë zikaltër.

Autoritetet kanë marrë këtë vendim dhe kanë bërë apel te tifo-grupet zikaltër që të respektojnë të gjitha dispozitat, pasi në të kundërt do të përballen me sanksione të ashpra.

Gjithashtu është parashikuar një forcë policore e shtuar edhe përreth sheshit Duomo, ku gjithashtu pritet të ketë grumbullim njerëzish, si dhe në zona të tjera kyçe të qytetit të Milanos.

Vetë kryetari i bashkisë Giuseppe Sala njoftoi se nuk do të ketë asnjë zonë të kuqe për tifozërinë, por thjesht një bashkëpunim mes autoriteteve, klubit zikaltër dhe tifozëve, që gjithçka të shkojë sipas planifikimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: