TIRANE

Këngëtari i njohur shqiptar nga Kosova Artan Bakia është bërë pjesë e “Festës së Këngës Shqiptare”, që është aktiviteti më i ri muzikor në “News24”, nën drejtimin e artistit Gjergj Leka.

Artan Bakija është imazh mjaft i njohur në skenën shqiptare, i cili spikat me timbrin e veçantë vokalit. Ai ka një krijimtari të pasur artistike, duke theksuar pjesëmarrjet dhe sukseset nëpër festivale të muzikës së lehtë. Bakija e filloi karrierën e tij muzikore shumë herët. Ai është muzikant nga Gjakova dbe e gjithë Kosova është krenare për të për aftësinë muzikore por edhe vetitë intelektuale që ai ka.
Bakia është një producent dhe nuk prodhon muzikë vetëm për vete dhe pasi mori lajmin e “Festës së këngës shqiptare” ishte nga të parët që dëshironte të merrte pjesë në këtë festival. Një nga bashkëpunuesit e tij është dhe kompozitori shqiptar, Shpëtim Saraci.

“Uroj që shumë nga artistët dashamirës dhe adhurues të muzikës shqiptare të gjithë së bashku të krijojmë një festë të vërtetë dhe të tregojmë vlerat e mirëfillta të muzikës shqiptare. Kënga me të cilën do të paraqitem në këtë festival nuk vjen në një moment të këndshëm për mua, vjen në ditën kur ndërron jetë poeti im i preferuar Fatos Arapi, vargjet e të cilit ishin muzë për të krijuar këtë këngë pikërisht atë ditë. Me kalimin e kohës arrita që këngën ta kompozoja e ta orkestroja deri në një farë mase mirëpo në një moment të caktuar ngeca në zhvillimin e saj. Ishte pikërisht figura dhe fuqia e fjalës së Fatos Arapit që më bën të kthehem pas duke dashur të realizoj një punë të vërtetë ashtu siç e meritonte ai. Dhe një ditë duke folur me mikun tim Shpëtim Saraci, i cili në atë kohë jetonte në SHBA, i tregoj që kam bërë një këngë por që kisha 2-3 ditë që merresha e më pas kisha ngecur dhe s’dija çfarë të bëja. Pse mërzitesh më tha, ma nis ta provoj unë dhe prova e Shpëtimit rezultoi shumë e suksesshme . Pas disa minutash unë e kisha të zgjidhur dilemën dhe ashtu fitova atë madhështinë e këngës që kërkova. Pastaj edhe pjesët e tjera rrodhën shumë bukur. Mendoj se si përfundim kemi sjellë një këngë e cila meriton të ndërtohet mbi vargjet që kam përzgjedhur por që nuk po i zbuloj sot”- ka thënë kompozitori dhe këngëtari Artan Bakija.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb