Festa e Liqenit të Shkodrës, mblodhi këtë fundjavë në veri të vendit, përfaqësues të pushtet vendor, shoqates së menaxhimit të peshkimit, turizmit e të ftuar të tjerë nga institucionet e linjës, të cilët apeluan për më shumë promovim të vlerave natyrore, ekonomike dhe turistike, të liqenit që është edhe më i madhi në Ballkan me vlera të mëdha për ekosistemin natyror.

Festa e Liqenit organizohet çdo vit nga Bashkia e Shkodrës dhe shënon hapjen e sezonit turistik në Shirokë, pak metra larg qytetit të Shkodrës, duke sjellë një atmosferë festive dhe dashamirëse jo vetëm për vizitorët por edhe turistët e huaj. Njëkohësisht edhe për të sensibilizuar institucionet dhe popullatën në mbrojtjen e vlerave të veçanta që ka.

Liqeni i Shkodrës, i cili shtrihet në pjesën shqiptare dhe atë të Malit të Zi, është shpallur Park Kombëtar dhe Zonë e Ramsarit, për vlerat e mëdha të biodiversitetit që mbart.

Për ti dhënë një frymëmarrje të re zhvillimi këtij Liqeni, Bashkia Shkodër është përfshirë në projektin që BE-së që do të financojë për rikualifikimin dhe mbështetjen ndaj turizmit në veriun e Shqipërisë, ku pritet që vëmendje të veçantë të marrin edhe projektet adresuar Liqenit të Shkodrës, në lidhje me frekuentimin shumë dimencional dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.

Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Z. Liqeni ka një breg shumë të larmishëm. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i Bardhë.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga ku merr edhe emrin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb