Në fshatin Dvoran të Korçës është zhvilluar këtë fundjavë Festa e Mollës, një traditë tashmë e përvitshme që synon të promovojë produktet vendase dhe të mbështesë fermerët e zonës.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, pjesëmarrja e fermerve dukshëm ka qenë më e ulët.
Fermerët potencialë të zonës thonë se viti 2025 nuk ka qenë i lehtë për ta sa i përket prodhimit i cili ka qënë i pakët për shkak të dukurive natyrore por janë të kënaqur me tregun.
Nga ana tjetër ka edhe fermerë që e kanë më të vështirë gjetjen e tregut ata shprehen se viti 2025 ka qenë i dobët si në sasi, ashtu edhe në treg, krahasuar me sezonet e kaluara.
Ndërsa çmimi i mollës sipas tyre shkon nga 50-60 lekë kg.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e kapaciteteve frigoriferike për ruajtjen e prodhimit. Shumica e frigoriferëve në zonë përdoren vetëm për prodhimin e vetë pronarëve, ndërsa hapësirat e mbetura nuk mjaftojnë për të ruajtur sasinë e mollëve të fermerëve të tjerë.
Edhe pse Festa e Mollës mbetet një simbol i rëndësishëm për Korçën dhe një mënyrë për të promovuar këtë kulturë, këtë vit ajo ka pasur më shumë karakter tradicional sesa ekonomik. Pjesëmarrja e ulët e fermerëve dhe problemet që ndeshin ata tregojnë se nevojitet më shumë mbështetje dhe organizim, në mënyrë që festa të shërbejë si një platformë zhvillimi për bujqësinë e zonës.
