TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella në të cilin i shpreh urimet në emër të popullit shqiptar. Nishani gjithashtu i ka shprehur mirënjohjen për ndihmën që Italia ka dhënë për Shqipërinë sidomos në dy dekadat e fundit. Kreu i Shtetit shkruan më tej në mesazhin e urimit se falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, Italia dhe Shqipëria trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik.

MESAZHI I PRESIDENTIT NISHANI

I nderuar Zoti President,

Kremtimi Festës së Republikës Italiane, më jep kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe të popullit shqiptar, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të ngrohta e më miqësore.

Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin dhe popullin tuaj, të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, për ndihmën e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në dy dekadat e fundit. Ndihma e Italisë për rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së komunizmit, si dhe mbështetja e gjithanshme për anëtarësimin në NATO dhe procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, mbeten të pazëvendësueshme.

Gjithashtu, dëshiroj që të theksoj se, falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, sot trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik, me të gjitha mundësitë për t’i zhvilluar e thelluar ato më tej.

Duke ju siguruar për ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb