ELBASAN- Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka uruar sot të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e festës së Sulltan Novruzit.

E shoqëruar edhe nga Sekretari për Programin në LSI, Edmond Haxhinasto, deputetja Kryemadhi ka qenë të mërkurën në teqenë e Baba Xhemalit në Elbasan me rastin e festës, nga ku uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë mirësi dhe begati në jetët e tyre.

Gjithashtu, deputetja e LSI-së tha se Sulltan Novruzi është festa e ripërtëritjes së jetës dhe vjen sot si një mesazh i rëndësishëm për të gjithë.

“Festa e Sulltan Novruzit na gjeti, bashkë me Edmond Haxhinaston, në teqenë e Baba Xhemalit në Elbasan. Në këtë ditë feste uroj të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë mirësi dhe begati në jetët e tyre. Sulltan Novruzi është festa e ringjalljes dhe ripërtëritjes së jetës dhe vjen sot si një mesazh i rëndësishëm për të gjithë ne”, tha Monika Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: