SARANDË- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Adrian Çela u ndalën në “Shtëpinë e Fëmijës” në qytetin e Sarandës.

Në kuadër të strategjisë së OSHEE-së për “Përgjegjësinë Sociale të Korporatave”, ata ndoqën nga afër dorëzimin e dhuratave për fëmijët e qendrës.

Përmes ndihmës financiare, synohet përmirësimi i kushteve infrastrukturore të institucionit si dhe plotësimi i disa nevojave duke nisur nga investimi në sistemin e ndriçimit të jashtëm; pajisje elektroshtëpiake, sobë profesionale, bolier, set kuzhine.

Shtëpia e fëmijës Sarandë ofron shërbim ditor për 33 fëmijë rezidenciale dhe 8 fëmijë ditorë, një pjesë e të cilëve janë jetim.

“Për shkak të bashkëpunimit të qytetarëve të pagesën e faturave të energjisë, OSHEE ka filluar të jetë sa më pranë tyre. Në këtë rast festash, kompania zgjodhi të gjendej pranë kategorive sociale që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Ju sollën ndriçimin, pajisje elektroshtëpiake, soba profesionale dhe disa dhurata. I bëj thirrje edhe të gjithë qytetarëve që të ofrojnë çfarë kanë mundësi për shtëpinë e fëmijës. Duhet të parandalojmë sjelljen e keqe tek fëmijët, të parandalojmë traumat pasi lënë pasoja për gjithë jetën”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha se prej më shumë se një viti, kompania ka krijuar sektorin e përgjegjësisë sociale dhe po angazhohet në të cilla projekte në të gjithë Shqipërinë. “Kjo e sotmja është e para e një jave të tillë në gjithë vendin.

Pas Vlorës jemi në Sarandë, në Durrës, në Fier, në Tiranë, Shkodër, Elbasan”, nënvizoi Çela.

OSHEE shpërndau dhurata dhe për vogëlushët e Shtëpisë së Fëmijës Vlorë

“Shtëpia e Fëmijës” në Vlorë, ofron përkujdesje për fëmijë nga 0-6 vjeç, të cilët janë te braktisur nga familjet e tyre biologjike ose me probleme ekonomike.

Mbështetja e OSHEE konsiston në: blerjen e pakove të personalizuara për fëmijët që ndodhen në qendër; vendosjen e një këndi lojërash në ambientin e jashtëm të institucionit; blerje e librave pedagogjik, formues/edukativ, albume fotosh të cilat do plotësojnë bibliotekën e fëmijëve dhe blerjen e bazës materiale për aktivitete krijuese.

“Ku ka gjë më të bukur se ti kalosh krishtlindjet me fëmijët? Ato janë simboli i triumfit të shpresës mbi materien dhe kjo është shtëpia e shpresës. Këtu, vërtet fëmijët mund të kenë patur trauma por ky është vendi për ti integruar ata. OSHEE ka aspektin e përgjegjësisë sociale si kompani, përveç faktit që të gjithë duhet të kontribuojmë për mbarëvajtjen e elementëve sociale siç është kjo qendër. Për shtresat më në nevojë këtë vit kemi bërë gjëra të mira. Përveç faljes së kamatave që e prezantuam pak ditë më parë, për aq sa na lejon ligji po përpiqemi të investojmë edhe në qendrat sociale për fëmijët”, u shpreh ministri Gjiknuri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb