TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ka firmosur urdhrin që e kalon policinë në gatishmëri maksimale, nga data 18 dhjetor, për të garantuar sigurinë dhe rendin përgjatë festave të fundvitit.

Strukturat e Policisë në nivel qendror e vendor kanë hartuar dhe do të zbatojnë një plan masash për parandalimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, garantimin e rendit si dhe menaxhimin e trafikut rrugor e parandalimin e aksidenteve.

Masa shtesë do të ketë edhe në Pikat e Kalimit Kufitar, për të rritur standardet e shërbimit dhe për të përballuar fluksin e hyrje – daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në këto ditë festash.

Departamentet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Komisariatet e FLO kanë organizuar punën për zbatimin e masave gjatë kalimit në Shërbim të Përforcuar.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit operativ.

Ndërkohë drejtuesit e strukturave të policisë vendore kanë marrë masat për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik gjatë periudhës së festave të fundvitit 2014 dhe Vitit të Ri 2015.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb