Ndërsa festat e nëntorit ndezin debate historike me shtrat politik, edhe duke mohuar krimet kundër njerëzimit përmes nderimit të diktatorit, drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, rreket të japë një mesazh uniteti, në kohë kaosi mbi mendimin publik, ku historia, tregohet sipas kaheve politike.

Në një intervistë për “News24”, Krasniqi vëren se “Shqipëria vazhdon të ketë një kalendar të çuditshëm të çlirimit të krahinave, të figurave lokale, të atyre që janë qoka politike e s’kanë lidhje me historinë. Studiuesit tanë të vjetër që kanë bërë libra para ‘90-ës, më shumë e kanë shfrytëzuar demokracinë  për të gjetur dokumente që justifikojnë tezat e tyre të vjetra, se sa për të parë tezat e tyre. Dhe duket, sikur te ne vazhdon ende Lufta e dytë Botërore edhe kur shkruhet historia. Edhe ai debati banal mbi datat e çlirimit tregon se sa joserioze ka qenë shkrimi, rishkrimi i historisë dhe ndikimi i politikës”.

Por, a ka ardhur koha të rishkruhet historia?

Për Afrim Krasniqin, njëherësh studiues, “është normale të rishkruhet”. Ai thekson se “nëse ne shohim kalendarët e Evropës Lindore, të gjithë e kanë rishkruar tekstin e historisë. Në asnjë vend tjetër përveçse në botën shqiptare,  nuk ndodh që politika të jetë aq e përfshirë në rishkrimin e historisë dhe e elementët politikë të dominojnë axhendën historike. Ne shohim se personazhet kryesore e ngjarjet kryesore, trajtohet nga politikanët dhe ata japin shembullin se si duhet rishkruar historia për këta individë”.

Ndërsa Historia po shkruhet nga Instituti i Historisë, një tjetër projekt po nis nga Akademia e Shkencave.

Mbi dy projekte paralele, Krasniqi, thotë se e mira do të ishte që “nëse  ka dy para për të harxhuar për historinë, ato duhet t’i çojnë në drejtimin e duhur, në institucionet profesioniste që merren me historinë dhe jo në institucionet politike, të cilat, duan të ndikojnë në shkrimin e historisë. Sot në tekstet arsimore, edhe në lëndën e historisë, asnjë nga tekstet që shkon te brezat e rinj, nuk kalon nga Instituti i Historisë, por është çështje biznesi, kush mundet ta shkruajë dhe sa miq e drejtorë shkollash njeh që ta zgjedhin tekstin, e ndaj dalin skandale për të cilat askush nuk mban përgjegjësi”.

Historia si mësues e gardian i së ardhmes, duket se e humb rolin, në kohë kur edhe festat varen nga qeveritë, shkrimi i teksteve nga dëshirat politike dhe  ajo çfarë u serviret brezave, nga  tekste që nuk e kalojnë kontrollin shkencor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb