47 pilotë nga 7 shtete të ndryshme fluturuan për 3-ditë me radhë në qiellin e Beratit, gjatë kampionatit ndërkombëtar të hedhjes me parashuta “Berati Open Air”. Për 3 ditë me radhë, qielli i qytetit të Beratit u mbush me parashuta, duke krijuar jo vetëm një atmosferë ndryshe në qytet por edhe një spektakël të vërtetë në ajër, me flamujt e shteteve të ndryshme në parashutat e konkurrentëve.

Kampionati Ndërkombëtar i Hedhjes me Parashuta, që zhvillohet për herë të dytë në Berat, bëri bashkë 47 garues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria etj, ndërkohë që i pranishëm në këtë garë është edhe Kampioni i botës në fuqi në “Hedhjen me Parashuta”, slloveni Matjas Sluga.

Nisja e garave me parashuta nisi në lartësinë e Malit Partizan dhe pas përfundimit të itenerarit të parashikuar parashutistët u ulën të gjithë në brigjet e lumit Osum. Në përfundim të këtij kampionati janë ndarë edhe çmimet për konkurrentët pjesëmarrës. Kampioni i botës në hedhjen me parashuta, piloti nga Sllovenia Matjas Sluga është renditur në vend të parë për hedhjen me parashuta në kampionatin “Berati Open Air”.

Në vend të dytë u rendit piloti Eduart Daci nga Kosova dhe në vend të tretë piloti nga Shqipëria Xhonatan Islami. Fituesi i vendit të parë mori një shpërblim prej 1 mijë eurosh, çmim ky që jepet për të nxitur dhe motivuar ardhjen e sa më shumë pjesëmarrësve të huaj në këtë event, me qëllim promovimin e vlerave historike e kulturore të qytetit të Beratit, pjesë e UNESCO-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb