Analisti Arjan Vasjari i ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ka komentuar me skepticizëm tubimet e sotme elektorale të PD dhe PS.

Vasjari thotë se të dyja palët bënë sot festa politike të tejngopura nga patetizmi.

Ai thotë se të vetmet gjëra që i pëlqyen sot ishin trëndafili i PS tek sheshi ‘’Shqiponja’’, kënga e Sia-s ‘’Unstoppable’’ e fushatës së PD dhe mënyra si e mbyllën Rama dhe Basha.

Gjithsesi Vasjari shpreson se kjo fushatë 30-ditore tashmë do të jetë e qetë dhe në normalitet.

 

‘’Edhe unë e kam këtë shqetësimin e mosrespektimit të distancës, por më shumë se sa me njerëzik hipotetik të infektimit, më shqetëson distanca mes dy palëve. Madje, distanca e palëve duket si distancë mes dy të infektuarish, që s’ka vlerë. Ajo që pashë sot, ishin dy festa politike. Si të gjitha festat e këtij lloji janë të tejngopura nga patetizmi. Patetizmi i atyre që duan ta marrin me banalitetin e atyre që duan ta mbajnë.

Tre gjëra që më pëlqyen, skenografia tek shesh ‘’Skënderbej’’, Sia tek ‘’Nënë Tereza’’ dhe si e mbyllën. Hiq ndoshta në fragmente, znj.Açka kishte diçka. Ishte një parabël mediokriteti por s’kam paragjykim. Ishte festë politike. Kanë afat 30 ditë këto palë për të qenë normale. Do thuash po i presim 30 vjet. Në këto 30 ditë do shohim disa ngjyra normaliteti në betejën politike. Nuk e di do burojë nga pjekuria e palëve apo trysnia e ndërkombëtarëve.

Shpresoj për fushatë të qetë. Besoj, jo vetëm uroj. Deri tani ka qenë e qetë. Hiq këtyre detajeve te vogla, përplasje. Besoj se do të shkojmë në normalitet deri në 25. Dyshimi është, nëse do jemi në këto hulli normaliteti. ‘’- tha Vasjari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb