Tre adoleshentë, janë të detyruar të përballojnë dhunën në shtëpi dhe në shkollë, në një botë që është sa mizore aq edhe e bukur, e ku dëshira për të vrarë ose për të vdekur, sikundër forca për të jetuar, përcakton fatet e tyre. Ky është me pak fjalë sinopsi i filmit “Lugina” të regjisores izraelite Sophie Artus, që është shpallur filmi më i mirë i festivalit “DEA Open”, që u mbajt në Sarandë.

Juria e filmit të gjatë, e përbërë nga Philippe PREUX – Kryetar, Luigi CAMPANILE, Kathrin BESSERT, Agim SOPI, Ylljet ALIÇKA, vlerësuan me çmime këta filma: Regjia më e mirë: “Bota”, Iris Elezi & Tomas Logoreci, Shqipëri, Kosovë, Itali 2014; Skenari më i mirë: “Motra të dashura” – Dominik Graf, Gjermani 2014; Fotografia më e mirë “Sirena ime, Lorelai im”, Nana Dzhordzhadze, Ukrahinë 2013; Aktori më i mirë: Vangelis Murikis “Strastos”, Greqi 2014; Çmimi special i jurisë: “Hotel”, Lisa Langseth, Suedi 2013.

Ndërkaq, për filmin e shkurtër, nga juria e përbërë nga: Carolina MANÇINI – Kryetare, Ilirjan Himaj dhe Lorenc PAPAS, dha këto çmime: Filmi më i mirë: Bika (Sharlote Rolfs – Gjermani, 2014); Montazhi më i mirë: Humnera (Sergei Bazhenov – Ukrainë, Rusi 2014); Ideja më e spikatur (Çmimi i “TV 21”/Kosovë): Heshtja (Bekim Guri – Kosovë 2014) dhe çmimin i medias: Tanku në oborrin tim – (Mentor Spahiu – Kosovë 2015).

26 filmat e shkurtër dhe 10 filmat e gjatë, të përzgjedhur nga 1300 aplikime, u ndoqën edhe nga juria e medias, e përbërë nga, Albana Nexhipi – Kryetare, Thoma Nika, Eraldo Rexho dhe Lorik Bakiu, e cila nderoi me Çmimin e medias filmin “Tanku në oborrin tim” – (Mentor Spahiu – Kosovë 2015). Çmimi DEA i Mirënjohjes për personalitete të shquara të kinemasë apo/dhe kulturës shqiptare dhe më gjerë, që organizatorët e festivalit ndajnë çdo vit, iu akordua këtë vit kryetarit (në detyrë) të Bashkisë së Sarandës, zotit Stefan Çipa, motivuar me mbështetjen e vet nismëtare për mbështetjen e idesë dhe për organizimin e festivalit ndërkombëtar të filmit “DEA OPEN AIR”, filluar nga qershori i vitit 2014 në Sarandë. Edhe Çmimi i publikut të Sarandës, i cili ndahet tradicionalisht nga Bashkia e Sarandës, u akordua këtë vit në formë CERTIFIKATASH MIRËNJOHJEJE, të cilat iu dorëzuan Drejtorit të “DEA OPEN AIR”, Edmond Topi dhe Drejtores së Përgjithshme të “RTV21”, Afërdita Saraçini Kelmendi. Bashkia Sarandë formuloi kështu mirënjohjen e saj për idenë e themeluesit dhe drejtorit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DEA OPEN AIR”, për të bërë Sarandën pjesë të këtij projekti dhe për rrjedhojë vend takimi të kinemasë, kineastëve dhe kulturës shqiptare me atë evropiane.

Mbrëmja gala
Me mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “DEA OPEN AIR” në Sarandë mbylli këtë fundjavë me sukses edicionin e vet të dytë. Prej shtatë ditësh, Saranda dhe Gjirokastra u bënë mikpritëse të organizatorëve dhe miqve të shumtë realë të “DEA”-s: kineastë, njohës, ikona të kinematografisë dhe personalitete të Shqipërisë, Kosovës dhe Europës, por para së gjithash e miqve virtualë të “DEA”-s, të zgjedhur nga 1300 aplikime, ardhur nga 75 vende të botës, duke hedhur kështu hapin e dytë drejt shndërrimit të Sarandës edhe këtë vit në një pikë të re të takimit të kineastëve, producentëve dhe distributorëve të industrisë së filmit. Pas 25 vjetësh mungese absolute të kinemasë në këto dy qytete, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “DEA OPEN AIR 2015”, në bashkëpunim me rrjetin e kinemave “Imperial” mundësoi shfaqjen e filmave më të mirë evropianë të dy viteve të fundit në format digjital, DCP, i cili bëri të mundur që Programi i filmit me metrazh të gjatë – në të gjithë komponentët filmikë – të ofrohej në standardet e teknologjisë së kinemasë bashkëkohore.

Kineastët
Festivalin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre shumë kineastë, kritikë dhe studiues të huaj të filmit, si Philippe Preux, Drejtor kulture i qarkut të Brukselit dhe nismëtar i Festivalit Mesdhetar në Brukselit, i cili drejton Jurinë e filmit të gjatë; Luigi Campanile, nismëtar i Festivalit të parë italian të filmit në Los Angelos, LAIFA dhe drejtor i Salento International Film Festival, njëkohësisht anëtar i Jurisë së Filmit të gjatë; Carolina Mancini, editore e revistës profesionale të kinemasë së distribuuar në Europë, e cila drejtoi Jurinë e filmit të shkurtër; Kathrin Bessert, Drejtore audicionesh filmike dhe bashkëdrejtore e festivalit të filmit në Lynen (Gjermani), njëkohësisht anëtare e Jurisë së Filmit të Shkurtër, Hans Kohl, president i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Insbruck, mik i “DEA”-s, si edhe Maren Niemayer (regjisore dhe producente) dhe Ulrich Gaulke (skenarist, regjisor dhe pedagog i teorisë së skenarit), lektorët gjermanë të Akademisë së filmit “DEA”, ku studentë të kinemasë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ndoqën ligjërata në lëndët: Mjeshtëri skenari dhe Marketim/Manaxhim i idesë filmike.

Pjesë e “DEA OPEN AIR International Film Festival” u bënë dhe sivjet sipas traditës shumë personalitete krijuesish dhe administruesish të kulturës dhe kinemasë shqiptare, si: drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes, Petra Behlke-Campos, regjisorët Dhimitër Anagnosti, Agim Sopi, Leka Bungo, Esat Mysliu, Drejtori i Përgjithshëm i rrjetit të kinemave “Imperial”, Altin Prifti, artistët e njohur të skenës dhe kinemasë shqiptare: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Guljelm Radoja, Zef Mosi, Ndriçim Xhepa dhe personalitete të tjera, përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Tiranë, intelektualë, diplomatë, studentë, artdashës, përfaqësues të biznesit, mediave qendrore dhe lokale, gazetarë me emër, miq dhe dashamirës.

Me kartolina audio-vizuale, të ftuarit e pranishëm në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve si edhe përgjithësisht organizimin e “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR 2015”, i përshëndeti ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari në detyrë i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami. Në mbyllje të Galasë së ndarjes së çmimeve të “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR”, drejtori i “DEA”-s, Edmond Topi njoftoi publikun, se me ndërmjetësimin e tij, një rrjet kinemash po verifikon kushtet, për ofrimin e shërbimeve të veta gjatë gjithë vitit në Sarandë. Edicioni i Tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DEA OPEN AIR” do të zhvillohet në qershor të vitit 2016 në Sarandë dhe Gjirokastër.

Çmimet DEA (Filmi i gjatë)
• Filmi më i mirë: “Lugina”,
Sophie ARTUS – Izrael 2014
• Regjia më e mirë: “Bota”, Iris Elezi & Tomas Logoreci, Shqipëri, Kosovë, Itali 2014
• Skenari më i mirë: “Motra të dashura” – Dominik Graf, Gjermani 2014
• Fotografia më e mirë: “Sirena ime, Lorelai im”, Nana Dzhordzhadze, Ukrainë 2013
Aktori më i mirë: Vangelis Murikis “Strastos”, Greqi 2014
• Çmimi special i jurisë:
“Hotel”, Lisa Langseth, Suedi 2013

Çmimet DEA (Filmi i shkurtër)
• Filmi më i mirë: Bika
(Sharlote Rolfs – Gjermani, 2014)
• Montazhi më i mirë: Humnera (Sergei Bazhenov – Ukrainë, Rusi 2014)
• Ideja më e spikatur (Çmimi i “TV 21”/Kosovë): Heshtja (Bekim Guri – Kosovë 2014)
• Çmimi i medias: “Tanku në oborrin tim” – (Mentor Spahiu – Kosovë 2015)

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb