ELBASAN- Qytetit të Elbasanit i rikthehet Festivali Folklorik Tipologjik i Këngës Popullore, në edicionin e tij të XIII. Ky festival e mori zanafillën pikërisht nga ky qytet dhe pas udhëtimit në të gjithë vendin ai u rikthye për të mbajtur të mbërthyer publikun elbasanas për tre netë më radhë në teatrin “Skampa”.

Emra të njohur si Bujar Qamili, Mukades Çanga, Elida Koreshi, Valbona Hekurani, Floresha Debinja etj, do të prezantohen para publikut me këngët e tyre popullore qytetare.

Synimi i këtij festivali është ruajtja e vlerave folklorike të këngës qytetare. Këtë vit Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike ka bashkëpunuar me Bashkinë e Elbasanit për të sjellë pranë publikut vlerat folklorike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini e vlerësoi rikthimin e Festivalit në vendin e origjinës. Në edicionin e sivjetshëm do të konkurrojnë edhe këngëtarët e rinj, të cilët përçojnë këngën qytetare. Për herë të parë ky festival do të vijë me çmime në nder të tre figurave të mëdha si çmimi “Isuf Myzyri”, “Luccie Miloti” dhe “Laver Bariu”.

Në këtë edicion do të marrin pjesë grupe folklorike nga Berati, Kavaja, Lushnja, Peshkopia, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Pogradeci. Gjithashtu ky festival do të përshëndetet edhe nga grupet folklorike të Gjakovës, Gjilanit dhe Tetovës.

Gjatë këtij festivali do të ketë edhe aktivitete me qëllim popullarizimin dhe sensibilizimin e të rinjve në lidhje me trashëgiminë kulturore materiale dhe jomateriale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb