TIRANË- I ftuar këtë të shtunë në News24 në emisionin Chic të moderatores Fjodora Fjora, ka qenë drejtori i teatrit kombëtar Hervin Çuli, i cili ka folur për festivalin kombëtar të teatrit, që starton këtë të diel në ambientet e Art Turbina, për t’u shtrirë pastaj gjatë gjithë javës në skenat e Tiranës.

Një festival që sipas Hervin Çulit ka ekzistuar, por që kthehet pas 20 vitesh mungesë. Ai synon të sjellë në një garë për rreth një javë, disa nga emrat më të njohur të teatrove kombëtar, të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të zi, të cilat do garojnë mes tyre për të fituar atë që do të jetë shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe momente të tjera interesante që prej kohësh i mungonin skenës teatrore shqiptare.

Ky festival, vjen në një kohë ku në vend ka ngjallur debate godina e re e teatrit kombëtar, por që vjen me të gjithë shkëlqimin e tij me shfaqjet më të mira. Këto dhe shumë detaje të tjera i zbulon për News 24 drejtori i Teatrit kombëtar Hervin Çuli.

-Përshëndetje dhe faleminderit që e pranuat ftesën tonë!
Përse zgjodhët pikërisht këtë periudhë, kur i gjithë vendi është përfshirë në debatin e teatrit, për të bërë këtë festival të parë?

Unë s’do e quaja të parin por është edicioni i gjashtë, sepse është një rikthim i Festivalit mbarëkombëtar të Teatrit, pas rreth 21 vjetësh, në 1996 ka qenë edicioni i fundit, që e organizonte në atë kohë Vangjush Furxhiu dhe mua më pëlqen të them që jemi në një vazhdimësi të atij festivali, që bënte artisti i madh.

Pra nuk ka lidhje me krizën e godinës së teatrit, sepse Festivali është ideuar që një vit më parë dhe ka rastisur me faktin e debatit të godinës.

-Gjithçka nis me shfaqjen Tag në Tiranë në Art Turbina, për të vazhduar më pas deri në 30 shtator dhe për tu shtrirë më pas në të gjitha qytetet e Shqipërisë…
Nga 23-30 shtator do të jetë Art Turbina atelieri kryesor dhe Universiteti i Arteve. Kemi dy shfaqje në ditë në orën 18:00 dhe 21:00. Ndarja e çmimeve do jetë jetë në 30 shtator. Kemi 14 trupa teatrore si asnjëherë më parë nga Kosova, Maqedonia, Mal i zi, Shqipëria, që do të japin shfaqjet e tyre.

-Cila është risia dhe momentet me kulmore të këtyre shfaqje dhe si u përzgjodhën?
Kemi një program të ngjeshur, të mirë, vepra ambicioze, ishte domosdoshmëri rikthimi i këtij festivali, për komunitetin teatror. Përzgjedhja është bërë nga teatrot publike dhe ato kanë përzgjedhur veprën që do të jetë në këtë festival.

-Përse u përzgjodhën vetëm teatrot publike dhe nuk u zgjodhën edhe teatrot private?
Na duheshin më shumë se 20 ditë festival dhe ne nuk kishim një mundësi të bënim një selektim dhe nxituam, donim të fusnim iniciativën e lirë, por ajo donte një selektim, dhe vendosëm që këtë vit si vit i parë ta bëjmë vetëm me teatrot publike, ndoshta vitin tjetër shpresojmë që festivali të jetë me i gjerë.

-Si do të jetë dhënia e çmimeve, si do të vlerësohen më të mirët?
Festivali do të jetë garues, do të jetë çmimi i shfaqjes më të mirë, aktori dhe aktorja protagonist më i mirë, aktori dhe aktorja e dytë më i mirë, çmimi i kostumografisë, skenografisë, pra ka një seri çmimesh dhe kjo është një gjë e bukur sepse e nxit garën e bën më të bukur, sepse në fund ka një stimul material, por mbi të gjitha një stimul moral, sepse të fitosh një çmim në një festival mbarëkombëtar nuk është një gjë e vogël.

-Tek ne ka shumë festivale që tentojnë të kenë çmime, festivali komedisë dhe të tjera, a ka një lloj linje që zgjedh shfaqjet nga viti në vit?
Cocofest, ajo që bën teatri i Korçës, për mua është më i vlefshmi, sepse është pozicionuar në komedi, por Tiranës i takon të bëjë një festival të këtyre përmasave, sepse pavarësisht respektit që kam jo çdo provincë mund të bëj festivale, Tirana duhet të ketë një festival, sepse është metropol, s’ka më mirë se Tirana.

-Si do të jetë juria e festivalit?
Ndriçim Xhepa do të jetë presidenti i jurisë, kemi kritikun Josif Papagjoni, pastaj Shkumbin Istrefin, aktorin kosovar, Qëndrim Rijani, regjisor i ri nga Maqedonia dhe aktoren Ludi Bitri një nga aktoret më të mira shqiptare.

-Ç’mund të na thoni për premierën e shfaqjes Tag, meqë është zgjedhur nga Teatri Kombëtar, edhe për të qenë pjesë konkurruese por edhe për të hapur këtë festival.
Besoj se kemi bërë një zgjedhje të mirë, edhe me rastin e vitit të Skënderbeut, një dramë shqiptare nga një shkrimtar karriere si Bashkim Hoxha dhe një regjisore si Andia Xhunga, një vepër që i flet realitetit në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse vepra thelbin e ka tek punët tona të përditshme, një fshat ku njerëzit nuk punojnë dhe gjithçka e krijojnë nëpërmjet Facebook-ut, ku jeta reale nuk ekziston, vetëm ajo virtuale, njerëzit dashurohen, ndahen në Facebook, një vepër shumë aktuale.

-Sa do të jenë çmimet e biletave të shfaqjeve?
Ne e kemi menduar gjatë këtë pjesë dhe vendosëm që publiku mund të shijojë shfaqjet në Art Turbina dhe universitetin e artave thjesht me një biletë që ka vetëm numrin e karriges, dhe kostoja e saj është 0.

-Kur të mbaroi festivali kur fillon sezoni i ri i shfaqjeve?
Që javën e parë të tetorit ne nisim sezonin e ri, e mbyll kështu intervistën në Chick drejtori i teatrit kombëtar Hervin Çuli, i cili ka dhënë detaje për Festivalin Mbarëkombëtare që starton javën që vjen.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb