Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e njeriut shfaqi të mërkurën në shkollën e Magjistraturës në Tiranë, filmin dokumentar “Kodi”, i cili merr shkas nga gjyqtari spanjoll Baltazar Garzon që pati urdhëruar arrestimin e diktatorit Augusto Pinochet dhe një projekt ndërkombëtar që garanton ndëshkimin e krimeve të mëdha ekonomike, financiare dhe mjedisore.

Pas shfaqjes së filmit në shkollën e magjistraturës u mbajt një forum mbi reformën në drejtësi në Shqipëri me pjesëmarrjen e ambasadorit të OSBE-së, Vincenco Del Monaco, ish-kryeprokurorit Arben Rakipi dhe drejtores së Komitetit të Helsinkit.

I pyetur për ekstradimet e mundshme të figurave publike shqiptare, për llogari të drejtësive  të vende të tjera, Rakipi tha:

“Ne duhet të jemi të qetë që sovranitetin në ushtrimin e drejtësisë penale nuk do të ketë kush të na e cenojë, me përjashtim të rastit nëse vepra penale e kryer nga subjektet penale, të kenë cenuar interesat e një shteti tjetër. Reciprociteti është i plotë në këtë rast”.

Sa i takon pandëshkueshmërisë në vendin tonë, edhe pas reformës në drejtësi, duke marrë shkas nga filmi dhe gjyqtari Garzon, ai tha se varet shumë edhe nga vullnetet.

“Çështjet e drejtësisë e sidomos këto që dolën në dokumentar, nuk janë të thjeshta. Ndryshimi i vullnetit, ndjeshmërisë dhe angazhimit të plotë ndaj çështjeve publike, te gjyqtarët dhe prokurorët tanë është i ndryshëm. Kur kjo shoqërohet edhe me aftësitë e tyre profesionale, atëherë fillon dhe kupton që jo të gjithë  mundtë ushtrojnë aktivitete të tilla”, tha Rakipi.

Festivali i Filmit për të Drejtat e njeriut, mbahet deri në datën 25 shtator, duke pasur fokusin te cenimi i të drejtave  dhe nxitja e debatit publik për çështje të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb