Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia.

Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë.

Besimtarët ortodoksë beratas morën pjesë fillimisht në meshën për ringjalljen e Krishtit, që u drejtua nga At Johan Qako, i cili kryesoi edhe lutjen e traditës sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.

Mesnata që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare.

I pranishëm në ceremoninë e Pashkës ishte edhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili ka përcjellë nga sheshi përpara Katedrales së “Shën Dhimitrit” urimet për besimtarët ortodoks.

Në festimet e Pashkëve kanë qenë të pranishëm edhe dy kandidatët për bashkinë Berat, Ervin Demo dhe Zija Ismaili, të cilët kanë uruar sa me shumë paqe e begati në çdo familje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: