TIRANË- Besimtarët myslimanë në të gjithë botën por edhe në Shqipëri kremtojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra besimtarë shqiptarë u mbledhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin. Urimeve të festës i bashkohet edhe politika. Presidenti Nishani apelon që dasitë të kthehen në vëllazërim, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha uron që shqiptarët të kenë zotin pranë, në këto ditë me vështirësi ekonomike. Kryeministri Rama ka zgjedhur të urojë besimtarët nëpërmjet një kartoline urimi, ndërsa kryeparlamentari Meta dhe kryebashkiaku Veliaj i kanë përcjellë urimet e tyre pas vizitave në selinë e KMSH-së. Edhe kreu i PDIU-së, Idrizi thotë se sot është dita e bashkimit dhe solidaritetit.

Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, ndërsa u lut për më shumë paqe e harmoni. “Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”.

Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai.

Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbelsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur. Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.
Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

META: DITË SAKRIFICE DHE PËRKUSHTIMI
Urimeve për Kurban Bajramin iu bashkua sot edhe kryeparlamentari Meta. I shoqëruar nga bashkëshortja, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi përcolli urimet në KMSH por edhe për gjithë shqiptarët. “Uroj nga zemra të gjithë besimtarët, gëzuar këtë ditë sakrifice, përkushtimi dhe bindje ndaj zotit. Uroj që vitin tjetër ta festojmë më mirë’.

VELIAJ: PAKETA USHQIMORE PËR FAMILJET NË NEVOJË
Pas vizitës në KMSH, kryebashkiaku Erion Veliaj uroi të gjithë besimtarët, ndërsa i ftojnë të ndajnë me të pamundurit ushqimet që iu teprojnë. Në këtë drejtim, tha ai, edhe Bashkia po shpërndan paketa ushqimore për familjet në nevojë. “Bashkia e Tiranës ka shpërndarë paketa ushqimore për familjet në nevojë. Kjo nuk nënkupton zgjidhjen e çdo problemi, prandaj qytetarët që kanë ta ndajnë pjesë e mbetur me të pamundurit”,-tha ai.
Kryebashkiaku i Tiranës bëri thirrje për më shumë barazi në këtë ditë të shenjtë.”Festa e Kurban Bajramit duhet të sjellë më shumë barazi përtë gjithë qytetarët. Jemi të lumtur që jetojmë në një qytet ku harmonia fetare është një vlerë e veçantë, tha ndër të tjera Veliaj. Duke iu bashkuar urimeve për festën e Kurban Bajramit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha gjithashtu se, punimet për xhaminë e Namazgjasë janë në rrugën e duhur.

RAMA URON KURBAN BAJRAMIN ME KARTOLINË
Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët kudo ndodhen me rastin e festës së Kurban Bajramit, me urimin, Gëzuar Bajramin! Kryeministri Rama ka zgjedhur që urimin e tij ta bëjë në rrjetin social i Facebook, mëngjesin e së enjtes në formën e një kartoline. Kartolina e postuar nga kryeministri Rama ka si foto qendrën e Tiranës, Xhaminë e Ethem Beut, pikërisht në të gdhirë të ditës së enjte të Kurban Bajramit e ku në sfond shkruhet urimi i kryeministrit, Gëzuar Bajramin!

BASHA: ZOTI QOFTË PRANË SHQIPTARËVE KUDO KU NDODHEN
Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha në të gdhirë të ditës së sotme ka uruar besimtarët mysliman nëpërmjet statusit të tij në Facebook, duke ju uruar mbarësi. Kryetari i Partisë Demokratikë, Basha shprehet se “Të nderuar miq, vellëzer dhe motra, besimtarë myslimanë, Gëzuar Kurban Bajramin! Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare, shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja! Kjo është një ditë kur kremtohet dashuria për Zotin dhe dashuria për njeri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten”.

Kryetari i PD-së, Basha nëpërmjet urimit të tij ka bërë një ekspoze te gjendjes ekonomike të shqiptarëve, ku pohon se “Fatkeqësisht ky Kurban Bajram e gjën vendin tonë me themele të tronditura te ekonomisë, me një varfëri që ka pllakosur mijëra familje, mijëra shqiptare kanë marre rrugët e emigrimit, shumë të rinj enden rrugëve të papunë e të pashpresë”.

“Zoti na ka bërë sprovë për njeri-tjetrin”- thotë Libri i Shenjtë, ndaj si në këtë ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, për të bërë diçka të mirë, për njeri-tjetrin, për familjen, për shoqërinë e ne vecanti për ata që janë me në nevojë, ato që na tregojnë vlerat e vërteta. Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti qoftë pranë shqiptarëve kudo ku ndodhen!”, shprehet Basha.

KLOSI: TË LUMTUR QË FEJA MYSLIMANE NË SHQIPËRI ËSHTË LARG EKSTREMIZMIT
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka uruar sot Komunitetin Mysliman në vend dhe gjithë shqiptarët, duke shprehur lumturinë që feja myslimane në Shqipëri është larg ekstremizmit.

“Uroj gjithë komunitetin mysliman shqiptar dhe gjithë shqiptarët, pasi jetojmë në një harmoni fetare. Do t’i falemi kësaj dite ashtu si 2 javë më parë u lutëm me klerikë nga e gjithë bota. Kjo fe është shumë larg ekstremizmit dhe ne jemi të lumtur për këtë”, tha Klosi.

NISHANI: SAKRIFIKIM DHE DHURIM, DASITË T’I KTHEJMË NË VËLLAZËRIM
Presidenti Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët shqiptarë për festën e Kurban Bajramit, duke kujtuar se shtyllat ku mbështetet janë sakrifikimi dhe dhurimi. Kreu i Shtetit apeloi që dasitë të kthehen në vëllazërim dhe hezitimi në besim të plotë.

“Të dashur dhe të nderuar besimtarë myslimanë,
Gëzuar Festën e mrekullueshme të Kurban Bajramit!
Gëzuar këtë Festë madhështore që na sjell në vëmendje Sakrifikimin dhe Dhurimin, dy shtylla nga më të rëndësishmet që sigurojnë paqen mes njerëzve mundësuar nga Mëshira e Zotit. Le të jetë kjo ditë e shenjtë, si gjithmonë ka qenë në të kaluarën dhe gjithmonë do jetë në të ardhmen, një ditë kur ai që ka i jep atij që s’ka, i shëndetshmi mëshiron dhe bën diçka për të sëmurin, i fuqishmi ndihmon të dobëtin, i shoqëruari afron të braktisurin.
Le të jetë kjo ditë gjithashtu një ditë e përqendrimit të vëmendjes së secilit ndaj shërimit të plagëve, sheshimit të kontradiktave, harrimit të sherreve, me anë të ndërgjegjësimit se paqja e të gjithëve nuk mund të arrihet ndryshe veçse përmes Mëshirës së Zotit, mirësjelljes së çdonjërit ndaj të gjithëve dhe të gjithëve ndaj çdonjërit.
Me rastin e kësaj feste, jo vetëm të urojmë e të shpresojmë, por edhe të bëjmë çmos me veprime konkrete për të mundësuar që sa më shpejt lodhjen ta shndërrojmë në shplodhje, dyshimin në bindje, dobësinë në forcë, dasitë në vëllazërim, dhe sidomos hezitimin në Besim të plotë.
Të kujtojmë në këtë ditë se, gjithmonë me aprovimin dhe Mëshirën e Zotit pa të cilën nuk është e mundur kurrgjë, mirëqenia e madhe shpirtërore dhe materiale e përhershme e komunitetit përbëhet nga kontributet e përkohshme dhe sakrificat e një çasti të çdo njeriu.
Nga unë personalisht dhe Institucioni që unë drejtoj, me shumë respekt për Ju të nderuar besimtarë, edhe një herë gëzuar Festën e madhërishme!”

IDRIZI: BASHKIM DHE SOLIDARITET
Urimeve të festës i bashkohet edhe politika. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi duke uruar të gjithë shqiptarët tha se kjo është një ditë bashkimi, barazie dhe solidariteti. “Uroj që të jetë një ditë e bashkimit dhe mirësisë. Sot është dita e barazisë dhe solidaritetit”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb