Për FIA gjithçka mund të jetë në rregull, por jo për Lewis Hamilton.

Në ditëlindjen e tij të 30-të pilotit të Ferrarit, Sebastian Vettel, iu desh të paraqitej në zyrat e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit për një seancë dëgjimore lidhur me incidentin në garën e Bakut me pilotin e Mercedez Lewis Hamilton.

Pas dënimit me 10 sekonda stop në “bokse” gjatë garës FIA u mjaftua duke mos marrë një masë shtesë ndaj pilotit katër herë kampion bote dhe ky vendim nuk i ka pëlqyer britanikut.

Edhe pse nuk ka bërë asnjë koment zyrtar pas vendimit të FIA, Hamilton e ka gjetur mënyrën për të shprehur pakënaqësinë e tij për faktin që organizmi më i lartë i garave automobilistike e fali gjermanin duke bërë “like” në postimin e një prej tifozëve të tij në rrjetet sociale, raporton “Daily Mail”.

“E humba të gjithë respektin për FIA-n, Ferrarin dhe Sebastian Vettel pas vendimit. Duket se çfarëdo që të bësh në pistë, mjafton të kërkosh falje dhe e kalon kollaj situatën. Nëse do ta kishte bërë Lewis veprimin e Vettel, FIA do ta kishte skualifikuar, gjobitur dhe do t’i kishte hequr pikë nga klasifikimi. FIA si gjithnjë është në favor të Ferrarit”, shkruante admiruesi i Hamilton në Instagram.

Fjalë këto me shumë peshë që kanë gjetur padyshim miratimin e Hamilton edhe pse në mënyrë indirekte.

Gara e radhës e Formula 1 do të jetë këtë fundjavë në Austri dhe tashmë situata duket se është ndezur mes dy pretendentëve për titullin kampion.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb