Kriza që ka shkaktuar në ekonomi pandemia e Covid-19 ka ndikuar negativisht dhe në ecurinë e investitorëve të huaj në vend.

Marinela Jazoj, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) thotë se ndër sektorët që raportojnë se janë goditur më shumë nga pandemia janë hoteleria dhe shërbimet mbështetëse të tyre (pjesë e zinxhirit të vlerës), industria ajrore, industria e tregtimit të naftës.

Ajo shton se ndër problematikat kryesore të klimës që vazhdojnë të hasen, janë stabiliteti makroekonomik dhe menaxhimi i duhur, efikasiteti i administratës publike dhe i institucioneve ku biznesi troket, korrupsioni i lartë dhe konkurrenca e pandershme, ndryshimi i shpeshtë i kuadrit ligjor dhe fiskal, nevoja për konsultim të vazhdueshëm dhe dialog me biznesin, si edhe transparenca e akteve dhe iniciativave të ndryshme që qeveria ndërmerr, e cila në të shumtën e rasteve mungon.

  1. Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë në vitin 2020. Bazuar në informacionin që keni marrë nga anëtarët tuaj, cilët janë sektorët që janë goditur më shumë nga Covid-19? 

Marinela Jazoj, Drejtoresha Ekzekutive e FIAA

 Viti 2020 ka qenë një vit tejet i vështirë për ekonominë shqiptare. Për ekonomitë e vogla dhe në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ku stabiliteti makroekonomik mungon dhe ekonomia është e dobët, natyrisht që pasojat e pandemisë janë akoma edhe më të mëdha. Duke qenë se ekonomia shqiptare varet shumë nga të ardhurat e turizmit, dhe ky sektor është më i godituri nga pandemia, ekonomia e vitit 2020 ka edhe rënien më të madhe në rajon.

Bizneset e huaja jo vetëm në vendin tonë por në rang global, janë përballur me një situatë të paimagjinueshme. Në komunikimin tonë të vazhdueshëm me investitorët e huaj në vend, anëtarë të shoqatës sonë dhe jo vetëm, ndër sektorët që raportojnë se janë goditur më shumë nga pandemia janë hoteleria dhe shërbimet mbështetëse të tyre (pjesë e zinxhirit të vlerës), industria ajrore, industria e tregtimit të naftës, kjo në mënyrë të veçantë gjatë muajve të parë të mbylljes si dhe industri të tjera të goditura më pak siç janë ato fasoneri që varen tërësisht nga tregu Italian, por edhe bujqësia dhe tregtimi i produkteve të saj, e cila erdhi si rezultat i rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse në rang global, ka rezultuar në rënie të prodhimit.

  1. Cili ka qenë reagimi i kompanive ndaj situatës dhe si do ti vlerësonit paketat mbështetëse të qeverisë? 

Një pjesë e madhe e kompanive të huaja në vendin tonë, kanë ndjekur politikat e kompanive mëmë të vendeve nga vijnë, por natyrisht që janë përshtatur edhe me situatën lokale dhe masat e aplikuara në vendin tonë. Duke qenë se këto janë kompani të huaja, me plane të emergjencave dhe me rezerva financiare më të konsoliduara, prioritare ka qenë kujdesi për vendin e punës së punonjësve dhe sigurimi i të ardhurës bazike, kjo në varësi të nivelit të mbylljes apo aktivitetit të kompanisë. Industri të ndryshme kanë aplikuar masa të ndryshme si dhe përshtatja me mënyrën e re të “të punuarit nga shtëpia” e cila ishte mënyra e vetme për mosndërprerjen e aktivitetit dhe që duhet pranuar se është një sfidë me vete e cila, duket qartë se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2021.

Përs a u përket paketave mbështetëse të qeverisë, për investitorët e huaj në vend, të cilët kanë një peshë të madhe në ekonomi, ato paketa mbështetëse nuk ishin të aplikueshme për ta. Investitorët e huaj i kanë konsideruar këto paketa, si paketa me ndikim social dhe kanë qenë të aplikueshme përgjithësisht për bizneset e vogla në vend, ku nevoja për mbështetje ishte jetike. Por, gjithsesi, ajo që vlerësohet pozitive edhe nga biznesi i huaj, ka qenë shtyrja në kohë për disa nga detyrimet e ndryshme tatimore e cila ka ndihmuar në ruajtjen e likuiditetit të biznesit për nevojat më jetike të tij.

  1. Si e prisni ecurinë e ekonomisë në 2021? Sa do të zgjasë rimëkëmbja në normalitetin e ri? 

Nga diskutimet e ndryshme me anëtarët tanë por edhe nga raportet e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, viti 2021 parashikohet të ketë një rimëkëmbje të lehtë të ekonomisë, por gjithsesi kompanitë do të vazhdojnë të përballen edhe me sfida më të mëdha. Mos të harrojmë që bizneset kanë rimodeluar strukturën e kapitalit dhe likuiditeti i tyre ka qenë në krizë apo në rënie.

Bizneset do të përballen me vështirësitë ekonomike të post-pandemisë dhe rikuperimi do të marrë kohën e vet. Gjithashtu, Shqipëria do të jetë në një vit elektoral, ku eksperienca i ka treguar investitorëve se periudha elektorale dhe tranzicioni i administratës ka ndikimet e veta negative në ekonominë e vendit dhe në klimën e biznesit të tij. Ne shpresojmë shumë në një tranzicion sa më të shpejtë dhe me një administratë të re funksionale dhe eficiente. Megjithatë, mendoj se normaliteti i ri është i lidhur ngushtë edhe me kohëzgjatjen e pandemisë dhe efektin e saj, e cila mbetet një e panjohur e madhe për të gjithë botën.

  1. Cilët janë ata sektorë që pritet të rimëkëmben më shpejt dhe ata që do të vazhdojnë të vuajnë më gjatë? 

Mendoj se në çdo krizë dhe në këtë rast “pandemia”, ka sfida të mëdha por ka edhe oportunitete të mëdha. Në ekonominë tonë shohim se industri si telekomunikacioni, sektori bankar dhe në mënyrë të veçantë ndërtimi, ritmi nuk ka ndalur, përkundrazi në disa ka pasur rritje të madhe. Gjithashtu, në anëtarësinë tonë, kemi edhe raste të bizneseve në manifakturë, e quajtur ndryshe “prodhimi për eksport”, ku përshtatja ndaj normalitetit të ri ka qenë e shpejtë dhe ritmi i rritjes nuk ka ndaluar aspak.

Ndërsa, industritë që do të vazhdojnë të vuajnë më gjatë, mendoj se janë ato që lidhen ngushtë me turizmin, pra hoteleria dhe gjithë shërbimet e lidhura me to, pra kompanitë pjesë e zinxhirit të vlerës. E njëjta situatë do të jetë edhe për industrinë ajrore dhe atë të transportit në përgjithësi. Natyrisht, që këto industri kanë efektin e tyre të drejtëpërdrejtë në industrinë e naftës dhe gazit ku përdorimi ka rënë ndjeshëm. Mendoj se rimëkëmbja dhe ringritja e këtyre sektorëve është e lidhur ngushtë me kthimin në normalitet të jetës dhe largimin e frikës së pandemisë.

  1. Si ka ndryshuar interesi i investitorëve të huaj pas pandemisë. Cilët sektorë janë më tërheqës për të tërhequr investitorë të huaj në Shqipëri? 

Së pari, investitorët janë përballur me përshtatjen ndaj realitetit të ri dhe primare ka qenë ruajtja e biznesit dhe e burimeve njerëzore. Por siç e përmenda edhe më lart, Investitorët janë gjithmonë në kërkim të oportuniteteve të ndryshme që vendet ofrojnë. Në kontaktet që ne mbajmë me investitorë të interesuar për tregun shqiptar, vazhdon të ketë interes për investime në fushën e energjive diellore, e cila ka qenë edhe një nga mundësitë e këtij viti e promovuar nga qeveria nëpërmjet programeve të ndryshme.

Gjithashtu, vazhdon të ketë një interes të markave të mëdha të hotelerisë në botë për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë për bregdetin, gjë që tregon planet afatgjata të investitorëve dhe Shqipërinë si zgjedhje të tyre. Një trend tjetër në rritje është dhe futja në tregun tonë e kompanive të ndryshme ndërkombëtare në prodhimin e pjesëve për industrinë automotive, gjithmonë për eksport. Gjithsesi, interesi i investitorëve varet shumë edhe nga klima e mjedisit të biznesit në vend e cila nuk është aq e lehtë.

  1. Kriza po ndryshon mënyrën si bëhet biznes në botë dhe po riformaton zinxhirin global të vlerës. Konkretisht si mund të përfitojë Shqipëria në mënyrë që ta kthejë krizën në mundësi? 

Gjatë vitit të parë të pandemisë, së pari ka ndryshuar qasja ndaj tregut dhe klientit në përgjithësi ku shërbimi dhe tregtia dixhitale ka marrë një rëndësi të veçantë në të bërit biznes. Përshtatja ndaj realitetit të ri ka nisur dhe mendoj se dixhitalizimi është rruga e vetme edhe për biznesin në Shqipëri për të mbijetuar dhe për të qenë pjesë e tregut dhe e konkurrencës. Natyrisht, kjo ka nevojë për mbështetje të qeverisë me anë të politikave dhe programeve mbështetëse ndaj biznesit, në mënyrë që edhe biznesi shqiptar të pozicionohet në tregun rajonal dhe pse jo edhe në atë global.

  1. Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen sipërmarrësit e huaj në Shqipëri dhe çfarë masash rekomandoni që duhet të ndërmerren për t’í zgjidhur ato? Cili ka qenë roli i FIAA në këtë drejtim? 

Si përfaqësi e Investitorëve të huaj në Shqipëri, FIAA vazhdimisht ka evidentuar problematikat e biznesit dhe i ka adresuar ato në institucionet përkatëse. FIAA është zëri i biznesit të huaj në vend dhe si e tillë inkurajon rregullisht qeveritë për të nxitur përmirësime të vazhdueshme në klimën e biznesit. Ndër problematikat kryesore të klimës që vazhdojnë të hasen, janë stabiliteti makroekonomik dhe menaxhimi i duhur, efikasiteti i administratës publike dhe i institucioneve ku biznesi troket, korrupsioni i lartë dhe konkurenca e pandershme, ndryshimi i shpeshtë i kuadrit ligjor dhe fiskal, nevoja për konsultim të vazhdueshëm dhe dialog me biznesin si edhe transparenca e akteve dhe iniciativave të ndryshme që qeveria ndërmerr, e cila në të shumtën e rasteve mungon.

FIAA ka shprehur vazhdimisht mendimin se vetëm nëpërmjet zbatimit të reformave në kohë, programeve afat-gjata dhe masave konkrete për rritjen e transparencës, si dhe uljen e korrupsionit dhe konkurrencës së pandershme, Shqipëria mund të luftojë trashëgimi të tilla endemike dhe vendi mund të shkojë me të vërtetë përpara për të realizuar potencialin e tij të plotë për një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Instrumenti kryesor i FIAA-s në përmirësim të klimës së biznesit, vazhdon të mbetet “Libri i Bardhë” i cili është një Instrument i përsosur i përgatitur nga ekspertë të huaj dhe vendas, i cili adreson problematikat kryesore të legjislacionit shqiptar dhe jep rekomandimet përkatëse dhe nxit më tej zbatimin dhe implementimin e duhur të ligjeve dhe direktivave.

  1. Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën për të ndryshuar modelin ekonomik në vend drejt rritjes së produktivitetit, novacionit dhe sektorëve me vlerë të shtuar. Sipas jush, cilët janë ato sektorë që u duhet kushtuar vëmendje në të ardhmen dhe si mund të tërhiqen investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë? 

Mendoj se vendi jonë së pari, ka nevojë për një menaxhim më të mirë të politikave për të arritur një stabilitet makroekonomik dhe financiar. Politikat që qeveria duhet të marrë, duhet të jenë të mirë studiuara, afatgjata, inovative dhe efikase në mënyrë që të luajnë një rol thelbësor edhe në zbutjen e ndikimit ekonomik të pandemisë dhe jo vetëm.

Qeveria shqiptare duhet të fokusohet në strategji konkrete të ri ngritjes ekonomike të vendit dhe të angazhojë të gjithë instrumentet e duhur për të mbështetur dhe promovuar ato sektorë prioritare të ekonomisë. Mendoj se ka disa sektorë të cilët vazhdojnë të jenë prioritare, siҫ janë Energjitë e rinovueshme, Turizmi i qëndrueshëm, Industria automotive, Bujqësia dhe zinxhiri i vlerës dhe teknologjia e informacionit.

Por ajo çka është më e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre sektorëve është ngritja e modelit të duhur të zhvillimit ekonomik të tyre, të potencialit real që kanë në ekonominë e vendit dhe projekteve të mirëstudiuara dhe afat-gjata. Dhe për ta mbyllur, ajo çfarë do t’i bënte me atraktive këta sektorë tek investitorët e huaj, është kuadri ligjor dhe rregullator i sigurt dhe i duhur, garancia juridike e investimeve në mënyrë që të krijojmë një besueshmëri të investitorit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb