FIER – Një 57-vjeçar ka tentuar të vetëflijohet në ambientet e komisariatit në qytetin e Fierit.

Rreth orës 13:00 të mesditës Marko Sillo hyri në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë që e kishte në një shishe plastike, njofton policia.

Megjithatë falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHCBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e 57-vjeçarit, banues në Levan. Pasi u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit, tani Marko Sillo po dërgohet në QSUT.

“Lidhur me këtë ngjarje bashkëshortja e Sillos, më datën 20.09.2016 ka kallzuar pranë në policinë e Fierit se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit,” shkruhet në njoftimin e policisë. Ndërsa për ngjarjen e sotme pritet dëshmia e vetë 57-vjeçarit për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: