FIER

Banorët e Bishanit, Poros, Pishës dhe Martines në njësinë administrative Levan në Fier kanë përcjellë shqetësimin e tyre, ku tregojnë se banesat e tyre kanë rënë pre e vjedhjeve.

Gazetari i ‘BalkanWeb’, Ervis Kuçi raporton se banorëve u janë grabitur kryesisht bagëti dhe fenomeni vazhdon ende. Siç shprehen ata, rastet e grabitjeve i kanë denoncuar në polici, ndërsa shtojnë se edhe pse ka pasur të ndaluar ata janë lënë sërish të lirë. Banorët e dëmtuar prej grabitjeve thonë se bagëtitë janë e vetmja mundësi për të siguruar të ardhurat familjare.

Në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili iu drejtua drejtuesve të policisë të mos merren me hedhje tymuesesh ndaj qytetarëve, por të zbardhin grabitjet e banesave në Fier. Kreu i PD-së në Fier theksoi mes tjerash se nuk përjashtohet mundësia që mund të këtë  edhe një bashkëpunim mes hajdutëve dhe punonjësve të policisë.

“Thirrje ministrit, drejtorit të përgjithshëm të policisë, drejtorit të policisë Fier, të mos merren me tymuese ndaj protestuesve por të zbulojnë grupet e hajdutëve. Mund të ketë bashkëpunim me grupet e hajdutëve nga punonjës të ndryshëm policie”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb