FIER – Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori i USAID-Albania, Marcus Johnson kanë qënë sot në Frakull të Fierit, ku janë takuar me fermerin Xhemil Hamataj, një nga 20 prodhuesit e luleshtrydheve, serat e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga përmbytjet e rënda dhe i kanë garantuar se ato do të rindërtohen sipas standardeve europiane, teknologjisë më të avancuar, rezistente ndaj stuhive dhe përmbytjeve.

“Ngelem pa fjalë, -i ka thënë Hamataj, Kryeministrit. – Mua më është bërë dëm kolosal, siç e shihni edhe vetë, por ju falënderoj për ndihmën që do na jepni dhe për përkrahjen.”

Në bisedën me banorët që do të përfitojnë nga kjo mbështetje, Kryeministri garantoi se të gjitha serat do t’iu kthehen mbrapsht, edhe më moderne se më parë. “Një katastrofe për gjithë këta njerëz dhe jemi këtu për ta mbajtur këtë angazhim. Të gjitha serat e dëmtuara nga përmbytja do të rindërtohen, me një projekt që synon dhe do të arrijë përmes ekspertizës më të mirë dhe financimit të plotë të projektit që serat e rindërtuara të jenë me standard shumë më të lartë se sa ato ekzistueset. Pra, fermerët e kësaj zone, njerëz të punës, njerëz të sakrificës, njerëz të dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore do të marrin falë kësaj mbështetje, mbrapsht jo vetëm gjithçka kanë humbur, por shumë më moderne se sa ajo që ka qenë përpara përmbytjeve. Ky ka qenë angazhimi ynë dhe ja ku jemi. Këta jemi ne, themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.”

Drejtori i USAID Marcus Johnson bëri të ditur nga ana e tij se në ditët në vijim do të bëhet demonstrimi i marrëveshjes prej 730 mijë dollarësh të nënshkruar me qeverinë shqiptare, pikërisht në këtë zonë, me instalimin e serave e reja. “Është bërë një marrëveshje prej 750 mijë dollarë për të ndihmuar fermerët dhe në ditët që do të vijnë ne do të bëjmë një demonstrim të kësaj marrëveshjeje, pikërisht në këtë zonë, për të parë se si mund të përmirësojmë serat, çfarë teknologjie mund të përdorim. Kemi bërë një marrëveshje dhe deri në shtator do të ketë një situatë më të mirë dhe një infrastrukturë më të mirë. Ne jemi duke punuar me OJQ shqiptare, për të sjellë ekspertizën, për të bërë trajnimet e nevojshme për të parë mundësinë për të ndërtuar më mirë se ç’ishte më parë.”

NIS ZHBLLOKIMI I KANALEVE TE KULLIMIT DHE NDERHYRJA NE ARGINATURA

Së shpejti në këtë zonë do të nisë edhe procesi zhbllokimi i kanaleve të kullimit, për të cilin Kryeministri u shpreh se nuk kryhet prej 20 vitesh “Faktikisht, ne realizojmë mbulim me financim të nevojës për të rindërtuar të gjithë infrastrukturën prodhuese të kësaj zone, falë mbështetjes së qeverisë amerikane, por vlen të theksohet përmes një koordinimi si asnjëherë më parë që ne po i bëjmë mbështetjes të fituar nga partnerët solidarë në këtë përpjekje për të zhdëmtuar gjithçka që solli përmbytja. Kështu po adresojmë një nga një të gjitha nevojat e lindura, ndërkohë që me financime të tjera do të hymë thellë në rindërtimin e argjinaturave dhe do të fillojmë procesin e zhbllokimit të kanaleve të kullimit të bllokuara 20 vjet me radhë dhe që askush nuk kishte menduar të vinte dorë më parë. Kemi zhbllokuar gjatë kësaj periudhe 1 e gjysmë vjeçare më shumë kanale se sa në 20 vite të marra së bashku, por sigurisht ka ende shumë punë për të bërë. Ne jemi të vetëdijshëm ta përballojmë këtë punë me suksesin më të plotë.”

Ministri i Bujqësisë Panariti, që shoqëronte Ramën tha se krahas projektit të serave, “do të ndërhyjmë në argjinaturën e lumit për të penguar që Vjosa të dalë nga shtrati. Do të bëjmë ndërhyrje të kombinuar, duke rivendosur kapacitetet e dëmtuara dhe duke penguar natyrisht vërshimet e reja të lumit. Kryesore është se ne do të instalojmë një model të ri tipologjie serash, që do të garantojnë rendiment më të lartë, por njëkohësisht do të jetë më rezistent ndaj përmbytjeve. Do të fillojmë me këtë 4 dynymësh dhe angazhohemi që gjithë kjo sipërfaqe do të ndryshojë tipologjinë e serave, sipas një sistemi të avancuar, shumë më eficient dhe rezistent.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb