Pas përfundimit të fazës në grupe të Botërorit që po luhet në Rusi FIFA ka bërë bilancet e “VAR”, ‘video asisatant refree’, teknologjisë që përdoret për herë të parë në një kompeticion të tillë.

Drejtori i projektit të teknologjisë, Roberto Rosetti, drejtori i arbitrave të FIFA-s, Massimo Busacca dhe Presidenti i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina dolën përpara mediave në stadiumin Luzhniki të Moskës dhe treguan rezultatet e VAR-it.

Të dhënat e tyre thonë se “VAR” ka kontrolluar 335 raste në 48 ndeshje. Nga këto, 14 vendime të arbitrit u ndryshuan, ku përfshihen 7 penallti të dhëna, 2 penallti të anuluara, 2 kartonë të kuq, 2 gola të dhënë në pozicion jashtë loje dhe një për gabim identiteti.

Një dhënë interesante është numri i penalltive deri në këtë fazë të Botërorit. Deri më tani janë akorduar 24 goditje nga pika e bardhë e 11-metërshit, në krahasim me 10 që ishin gjithsej në “Brazil 2014” dhe po kaq në “Afrikë e Jugut 2010”.

Ndërkohë një dhënë pozitive është rritja e kohës efektive të lojës. Nga 55 minuta e 24 sekonda në Botërorin e shkuar në 56 minuta e 45 sekonda në këtë që po luhet në Rusi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: