FIFA ka publikuar listën e gjerë për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit 2022. Listës prej 14 lojtarëve që kandidojnë për çmimin “The Best” i prin Lionel Messi. Ai udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të botës, duke shënuar shtatë gola në shtatë ndeshje në Botërorin e Katarit, teksa u shpall edhe më i miri i Botërorit.

Përveç Messit, nga Paris Saint-German janë edhe Kylian Mbappe, Neymar dhe Achraf Hakimi. Premier League është e përfaqësuar me Erling Haaland, Kevin De Bruyne dhe Mohamed Salah. Real Madrid i ka tre lojtarë në konkurrencë, pasi fitoi vjet Ligën e Kampionëve. Përpos Karim Benzema, që fitoi Topin e Artë, në listë për më të mirin e FIFA-s janë Vinicius Jr dhe Luka Modric.

Po ashtu nuk mungojnë as Robert Leëandoëski i Barcelonës dhe Sadio Mane i Bayern. Ka edhe disa emra befasues, siç është ai i Julian Alvarez, apo i anglezit Jude Bellingham. Cristiano Ronaldo ka mbetur jashtë listës së kandidatëve pas një viti dëshpërues.

Po ashtu, janë pesë të nominuar edhe sa i përket trajnerit më të mirë të vitit. Carlo Ancelotti, Didier Deschamps, Pep Guardiola, Walid Regragui si dhe Lionel Scaloni janë në këtë listë. Të nominuarit për çmimin e portierit më të mirë të vitit janë Alisson Becker, Yassine Bounou, Thibaut Courtois dhe Emiliano Martinez. Votimi do të jetë i hapur deri më 3 shkurt, ndërsa fituesi të shpallet në ceremoninë e FIFA-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb