TIRANË- Pas debateve të shumta që solli lajmi i kryeministrit Edi Rama se më 2 janar koncerti i Vjenës vjen në Tiranë, ambasada austriake e ka parë të udhës të bëjë një sqarim dhe të zbulojë të vërtetën.

Amabasada austriake deklaron se në datën 2 janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë, anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës”, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

Po kështu ambasada jep detaje edhe për sponsorët e këtij aktiviteti. Sipas saj Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AGE Art Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë.

Lajmi për koncertin e Vjenës në Tiranë u dha nga kryeministri Rama më 10 dhjetor por pa saktësuar nëse do të ishte Filarmonia apo Ansambli. Ja çfarë shkruante ai:
Rama per Vjenen

DEKLARATA E PLOTË E AMBASADËS SË AUSTRISË NË TIRANË
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar miq të muzikës klasike, pas paqartësive të shfaqura ditët e fundit në lidhje me “Ansamblin Filarmonik të Vjenës” dhe “Filarmoninë e Vjenës”, dëshirojmë të bëjmë disa sqarime mbi koncertin e datës 2 Janar në Tiranë.

Në datën 2 Janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës”, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

“Ansambli Filarmonik i Vjenës” është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës. Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AGE Art
Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë.

Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e pallatit të kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorëve. Gjithashtu ndër të tjerash një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës.

Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej e kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin Tuaj.

Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri. Gjithashtu koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin Shqiptar. Dëshirojmë t’ju urojmë një fillim viti të mbarë dhe t‘ju përcjellim të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve urimet më të mira në këto ditë festash. Ambasada Austriake Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb