Nga: ZONJA KATERINA

2 fileto (viçi ose derri), 2 patëllxhanë, ½ kokërr qepë, 1 spec të kuq, 1 kokërr limon, 1 lgj majonezë, 1 lgj mustardë, 50 gr gjalpë
Kripë, piper

Një patëllxhan e presim në mes dhe e marinojmë me kripë, piper dhe vaj dhe e vendosim në furre në grilë të piqet. Ndërkohë grijmë qepën shumë imët në rende. Marrim patëllxhanin dhe heqim pjesën e brendshme të tulit. Në një tigan me pak vaj ulliri kaurdisim qepën, më pas shtojmë pjesën e brendshme të patëllxhanit dhe vazhdojmë kaurdisjen.

Nga patëllxhani tjetër presim 3-4 feta të holla për së gjati. I marinojmë me kripë, piper dhe vaj dhe i vendosim të piqen në një tigan që nuk ngjit. I vendosim fetëzat e pjekura të patëllxhanit në një qese celefon kuzhine. I lemë të ftohen pak dhe më pas hedhim në to purenë e bërë me qepë dhe tul patëllxhani. I mbledhim fetët e patëllxhanit role. Ndërkohë në një tigan që nuk ngjit vendosim filetot e mishit të marinuara më parë me kripë, piper dhe gjalpë. Shtojmë në tigan dhe dy lugë gjalpë dhe i lemë filetot të piqen mirë nga të dyja anët duke e spërkatur herë pas here me gjalpë.

Specin e kuq e presim në feta të rrumbullakëta dhe e skuqim për 1 minutë në tigan ku shtojmë dhe një degë rozmarinë dhe pak lëkurë limoni.
Rregullojmë pjatancën duke vendosur filetot e mishit në qendër, anës vendosim roletë e patëllxhanit dhe me specat e kuq dhe degën e rozmarinës dekorojmë pjatën sipas preferencës. Tek gjalpi që ka mbetur në tiganin ku skuqëm fileton e mishit shtojmë pak piper të kuq dhe me të spërkasim fileton por jo vetëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb