Nga: ZONJA KATERINA

200 gr fileto pule
300 gr kadaif
100 gr gjalpë
1 kokërr limon
1 lç xhinxhër
Kripë, piper

Për sallatën:
300 gr panxhar
200 gr thjerrëza të kuqe
2-3 thelpinj hudhër
250 gr lulelakër
2-3 bishta qepësh
2-3 lgj vaj ulliri
Lëngu i 1 limoni
Kripë, piper, nenexhik

Fillimisht vendosim gjalpin të shkrijë në një tigan. Ndërkohë presim filetot e pulës në fetëza në drejtim të kundërt të fijeve. I vendosim filetot e pulës në një tas ku shtojmë cipën e limonit, xhinxherën, kripën dhe piperin e zi.

Hapim kadaifin dhe e ndajmë në shirita. Në çdo shirit kadaifi vendosim nga një fetëz fileto pule dhe e mbledhim role.

Në një tavë vendosim letër kuzhine dhe vendosim filetot e mbështjella me kadaif. I spërkasim në fund me pak gjalpë të shkrirë dhe i vendosim të piqen në furrë në temperaturën 180 gradë për 20-25 minuta.

Ndërkohë përgatasim sallatën që do të shoqërojë filetot me kadaif. Paraprakisht kemi zjerë thjerrëzat, ndërsa panxharin e kemi pjekur me 2-3 thelpinj hudhër në furrë në letër alumini. Lulelakrën e grijmë jo plotësisht në blender me pak cipë limoni, disa bishta qepësh, nenexhik, vaj ulliri, kripë dhe piper.

Marrim pjatancat ku do të bëjmë servirjen dhe fillimisht vendosim fetat e panxharit të marinuara me kripë, piper, vaj ulliri, mbi to vendosim sallatën me lulelakër dhe thjerrëzat e kuqe. Në fund vendosim 1-2 fileto pule të mbështjella me kadaif.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb