Nga Zonja Katerina
Perbërësit

2 fileto pule
150-200 gr pançetë
½ kokërr qepë
2 thelpinj hudhër
2 gota verë të bardhë
2 lgj gjalpë
2-3 lgj vaj ulliri
1 filxhan lëng mishi
1 kg patate të vogla
100 gr domate qershi
Kripë, piper i bardhë
Rozmarinë, borzilok
Sherebel, dafinë

Përgatitja

Qërojmë patatet dhe i vendosim në tavë. Nëse patatet nuk i kemi të vogla i presim në 2-3 pjesë. Shtojmë domatet qershi, pançetën (gjysmën e sasisë), gjethet e dafinës, borzilokun, sherebelin dhe rozmarinën. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe më pas shtojmë një gotë verë të bardhë dhe copëza gjalpi i vendosim aty këtu.

E vendosim tavën me patate në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 40-45 minuta. Sipas dëshirës mund të shtojmë dhe një filxhan lëng mishi ose perimesh.

Ndërkohë në një tigan vendosim 1 lugë gjalpë dhe 1 lugë vaj ulliri. Sapo yndyra të marrë temperaturë vendosim një gjethe sherebeli. Filetot e pulës i presim në fetëza pjerrtazi në drejtim të kundërt të fijeve. I spërkasim filetot me kripë dhe piper dhe i vendosim të skuqen për pak minuta nga të dy anët. Më pas shtojmë një gjysëm qepe të grirë shumë imët dhe e kaurdisim së bashku me filetot. Shtojmë një majë luge kripë tek qepa për të ndihmuar zbutjen. Vendosim dhe 2 thelpinj hudhër së bashku me pançetën të prerë në kubikë dhe sipas dëshirës mund të shtojmë dhe pak koncentrat pule ose perimesh. Vazhdojmë kaurdisjen, më pas e shuajmë gatimin me verë të bardhë. Sapo alkooli të avullojë shtojmë një garuzhde lëng mishi dhe në fund një lugë gjalpë dhe e lemë sa të bëhet një salcë e lidhur.

Largojmë patatet nga furra dhe i servirim së bashku me filetot e pulës me pançetë dhe me pak salcë.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb