Punonjësit e muzeut “D’Bone Collector” gjetën një balenë të ngordhur në brigjet e Filipineve. Ata e morën balenën e vogël mashkull nga plazhi ku ndodhej, e përmes një postimi në Facebook treguan më vonë se gjitari i detit ishte mbushur me nivelin më të lartë të plastikës që kishin parë ndonjëherë, plot 40 kg.

Në stomakun e saj kishte 16 thasë orizi dhe shumë çanta nga ato të përdorura për pazar. Muzeu është shprehur i gatshëm të publikojë gjatë ditëve në vijim listën e plotë të objekteve plastike që balena kishte gëlltitur, por këtë e shoqëroi me një apel:

“Kjo që po ndodh është e neveritshme”, shkruhet në faqen e tij në Facebook. “Autoritetet duhet të marrin masa kundër atyre që vazhdojnë t’i konsiderojnë lumenjtë, detet dhe oqeanet si kosha mbeturinash”.

“Nuk isha përgatitur për këtë nivel plastike”, rrëfeu për CNN-in drejtori i muzeut, Darrell Blatchley. “Ishte vërtet shumë, plastika kishte nisur të kalcifikohej”.

Hedhja e mbeturinave plastike është kthyer në problem madhor në disa vende të Azisë Juglindore dhe jo vetëm. Pesë shtete aziatike, Kina, Indonezia, Filipinet, Vietnami e Tajlanda janë përgjegjëse sipas një raporti të grupit mjedisor jofitimprures “Ocean Conservancy”, për 60% të mbjeteve plastike që përfundojnë në oqeane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb