Shkaktoi jo pak habi, artikulimi i parë nga deputetët e opozitës (fasadës) parlamentare, lidhur me “nevojën” për mospasjen e koalicioneve parazgjedhore. U pasua ky artikulim edhe me një “draft”, që u nis në Kuvend.

“Jeniçerët” e Kuvendit thjesht po kryenin detyrën e ngarkuar nga “kundërshtari” i tyre në Kuvend…, fillikati.
Fillikati, zgjodhi vetë të ishte i tillë. Madhështia që ndjente për veten, dëshira që t’i kishte të gjitha, qenë refreni i zgjedhjeve të 2017-ës. Fjala më frekuente në gojën e tij, ishte “vetëm”, “vetëm”, “vetëm”. I shkonin drithërima, sikur të duhej t’i jepte dikujt diçka, nga tepsia, së cilës, i lëpihej rrotull, ndaj duhej të ishte vetëm.
Vetminë e donte vetëm për të ndarë, se për ta fituar atë që s’donte të ndante me askënd, iu lëpi gjithkujt, dhe gënjeu gjithkënd…
Ndaj… sa më shumë anonimë në detyra, në mënyrë që gjithçka të shkojë vetëm te ai.
Hoqi nga listat deputetë socialistë (njëri madje, tha që lutem mos të më zëvëndësojë ndonjë hajdut pulash), dhe i zëvëndësoi me… vetëm. Vuri njerëz(?), të atillë, që edhe kur të ish me ta, prap të dukej vetëm.

Mori ministra që nuk i njihte askush, vetëm fillikati; nuk i njihte as partia e as populli, ministra që as nuk kishin votuar. Thjesht duhej të njihnin fillikatin, këtë detyrë kishin.
Deputetët e tipit “vetëm”, votuan ligje, me emra firmash, ligje që përcaktonin vlera financiare, të nisura për njerëz që i njihte vetëm fillikati. Deputetët e tipit “vetëm” votojnë ligje që duhet të jenë vendime qeverie, por ndërsa qeveria mban përgjegjësi po të marrë vendime arbitrare, deputetët, nuk e kanë atë merak, pasi Kushtetuta i mbron, edhe kur votojnë, pa ditur se çfarë vendosin.
Tani, fillikati ka marrë atë që ka kërkuar.
Kërkoi të ishte vetëm ? -Vetëm është!

Por tashmë është jo vetëm para tepsisë së pushtetit, por edhe vetëm si drejtim nga shohin gjitha shigjetat që piketojnë nga ka ardhur e keqja.
Kriminalizimin e Kuvendit e bëri VETËM fillikati.
Deformimin e ekonomisë nga ekonomi e tregut të lirë, nê ekonomi me treg të nominuar me emra oligarkësh, e bëri VETËM FILLIKATI.
Lënien e vendit pa gjykata e bëri po ai.
Rritjen e tmerrshme të çmimeve të çdo produkti dhe çdo shërbimi, e bëri vetëm ai.
Togfjalëshin “Forca e Ligjit” e përmbysi vetëm ai, fillikati, duke e kthyer në Ligjin e Forcës.

Fillikati kërkoi borxh në gjithë organizmat financiarë të botës dhe arriti të marrë sa dyfishi i të gjitha qeverive të tranzicionit, duke e çuar ekonominë në faliment të sigurtë. Për paradoks, nuk kreu asnjë vepër madhore në infrastrukturë etj.
Fillikati shkatërroi vlera kulturore e historike, se i duheshin kulla. Kinematë me emra “Partizani”, “17 Nëntori” apo “Republika”, fundin e patën kur qeverisi fillikati. Po ashtu Teatri Kombëtar, etj etj.
Renditi Shqipërinë në vendet e para ku pastrohen paratë.
Shembi shtëpi hallexhinjsh si asnjë pushtues më parë, kur ligjet nuk e lejonin atë gjë.
Fillikati e çoi shtetin në shtigje që bota i kishte mbyllur që në Romën e Lashtë: fitoi gjyqe të humbura në një gjykatë, në po atë gjykatë, si rasti i mandatit të kryebashkiakes së Durrësit.
Etj etj…
Është vetëm e vetëm.

Në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, e pa që kish mbetur edhe pa popull.
Shifrat me 2% e 3% të pjesëmarrjes në votim, ishin formalizimi matematik i fundit të dëshirave të tij.
Tani e ngushëllon vetëm filozofia e të humburit, sipas së cilës, “e zeza që më gjeti mua, gjet’t gjithë fshatin”…
Tashmë do që edhe ata që me arrogancên, shtypjen, pamëshirën e rij, i ka bashkuar, t’i ndajë.
Këtë dëshirë, nuk e shpreh vetë, por gjoja e duan “jeniçerët”, që vetëm tani po e kuptojnë se përse i ngrohin ato karrige…
Logjikë e përafërt me të Hitlerit, i cili kur i sulmoi e bombardoi gjithë Europën e Mesdheun, nuk “qe dakord” që të sulmuarit të luftonin bashkë. Imagjino sikur Britanikët të prisnin gjermanët, pasi këta të “mbaronin punë” me francezët…

Jo ! Jo !
Ky fall, nuk duhet t’i dalë fillikatit.
Ata që kërkon të ndajë, vetë i ka bashkuar, vetë dhe vetëm , fillikat !

*Prel Deda, ish- kryetar i PD dega Pukë.. biznesmen Amerikë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb