(Në kuadrin e përvjetorit të çeljes së kursit të parë të Policisë shqiptare si paraprirëse e shkollës dhe kurseve të të gjitha niveleve të policimit në Shqipëri. Një vështrim historik 83 vite më parë, mbi themelet e shkollës së policimit në Shqipëri i përkasin majit të vitit 1938, si pararendëse e Akademisë së Sigurisë dhe Kolegjit të lartë policor)

Meraku i babait të kombit Ismail Qemal bej Vlora, për shtetin që po ngrinte për herë të parë për shqiptarët ishte pikërisht për ruajtjen e rendit, qetësisë. Ja porosia e parë e tij: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”[1]-shprehej ati i pavarësisë Ismail Qemali, duke u shprehur kështu që në njoftimin e parë telegrafik për prefekturat dhe bashkitë e vendit. (DPASH, Fonde dokumentare të vitit 1912, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 datë 28.11.1912). Tendencat e fillimit të krijimit të policimit në Shqipëri ishin të“mbytura” nga fryma ushtarake, veçanërisht forcat e xhandarmizuara, që policinë dhe policimin e shikonin si aneks të Komandës së Xhandarmërisë. Fillimet policore shqiptare gjenden në fund të shek 18-të dhe fillim të shek.19-të. Pashallëqet e Janinës dhe Shkodrës vepruan me tendencat e përparuara të kohës duke krijuar për herë të parë policinë dhe xhandarmërinë, ku në Janinë Ali Pashë Tepelena organizoi një policim të centralizuar e të fortë me disa lloj shërbimesh të policimit për rend e qetësi, polici portesh pranë doganave, polici burgjesh etj. Shkodra më 1757 deri 1796 forcoi rregullin e qetësinë publike mjaftueshëm, me përdorim të strukturave policore dhe xhandare duke ndëshkuar piraterinë dhe vjedhjet. Por Policia shqiptare në kuptimin e plotë të funksionimit lidhet me pavarësinë dhe krijimit të Ministrisë së Brendshme më 4.12.1912, që përgjigjej për rendin e qetësinë publike, e më tej edhe me krijimin e “Fuqisë Civile”, ku një pjesë e saj kryente rolin e policisë për ruajtjen e ligjshmërisë, zbulimin e shtypjen e krimineleve, ndërkohë pjesa tjetër u angazhua me krijimin e strukturave të xhandarmërisë. Më 13.1.1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nxorri Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit, që përbëheshin nga forca Policore dhe forca xhandare (AQSH. Fondi dokumentar nr. 245/II, dosja 69, faqe 1). Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi tëfunksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që po të shqipërohet ishte “Drejtoria e Policisë shqiptare”. Në pushtetet e Prefekturave dhe n/prefekturave vepronin zyrat e komiserive të policies dhe mbështeteshin nga struktura të xhandarmërisë të formatuara mbi bazën e batalionit në çdo prefekturë, kompanisë në çdo nënprefekture, si dhe togës në krahina.

Më 4 maj 1913 krijohet shtabi madhnuer nga i cili varej xhandarmëria me tre batalione xhandarmërie në Vlonë, Berat e Elbasan. Milicia shqiptare më 3.6.1913 u bë me rregullore që ishte e modelit Osman dhe e shkruar në osmanllisht. Për herë të parë u vendos uniforma kombëtare shqiptare për policinë dhe xhandarët. Më 20.12.1913 firmoset dekreti i Qeverisë së përkohshme tëVlorës mbi Formimin e Xhandarmerisë në krahinat e jugut, ku misioni hollandez i William De Weer-it, i ardhur në nëntor 1913 kontribuoi në formimin e katër reparteve xhandare me treqind vetë secili. Gjatë LIB policia dhe xhandarmëria shqiptare e humbën funksionin dhe adaptuan modelet e forcave pushtuese austro-hungareze, francize dhe italiane, ku është fakt se më 10 dhjetor 1916, u krijua Republika “franceze” e Korçës, e drejtuar nga shqiptari Themistokli Gërmenji dhe kapiteni francez Henri Descoins, u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë. Veprimi i gjeneralit Sarrail u kishte rënë si bombë kancelarive të Fuqive të Mëdha. Ministrit i jashtëm francez Ribot autonominë e korçarëve e quajti “veprim të nxituar”, ndërsa gjenerali Sarrail ju përgjigj: “Gjithnjë kam dashur të bëhet vullneti i popullit. Korça deshi të ishte e pavarur dhe ajo u bë. Që nga ajo kohë, qetësia mbretëron në këtë zonë”. Thelbi i Republikës qëndronte në marrëveshjen: ”Ne, delegatët e popullit shqiptar, i deklaruam përfaqësuesit të Francës se kazaja e Korçës dhe zonave që varen prej saj, është një provincë autonome e administruar nga funksionarë shqiptarë, nën mbrojtjen franceze”, ku përfshihej Korçë, Bilisht, Kolonjë, Opar, Gorë, me nënshkrime të Vasil Ngjelo, Kostandin Noçku, Refail Avrami, Nikolla Evangjeli, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Eftim Çali, Vasil Kondi, Qani Dishnica, Sali Babani, Haki Shemshedini dhe Llambro Mborja. (Dhimitër Kolovani, “La question de Koritza”, Çështja e Korçës një çështje nderi për francezët që kanë ngritur flamurin shqiptar në dhjetor 1916, Paris, 1920); Muin Çami, Shqiptarët dhe francezët në Korçë, “Dituria”, 1999).

  • foto galeri
  • foto galeri

Për kushtet shqiptare shkollat e xhandarmërisë kanë qenë të parat që u hapën në Shqipëri. Ato patën shtrirje në hapësirën gjeografike shqiptare.Ndërkohë që policia dhe policimi ka qenë nevojë emergjente për t’ju përgjigjur zhvillimeve të kohës në Shqipëri injorohej për shkak të mentalitetit dhe traditës si dhe të frymës xhandare që mendonin e gjykonin për kohën se “xhandarmëria ishte fuqiplote, mund të kryente dhe policimin e linjës së ashpër”. Nismës për shkollimin policor i parapriu disa masa e akte sikurse ishte ajo e krijimit të “Policisë së Sigurimit Botor/Publik” (sipas VKM nr 254 datë 5 gusht 1937 dhe VKM-së nr.268 datë 13 gusht 1937). Më 19 janar të vitit 1938 u shpall akti normativ “Për organizimin e Policisë”. Ky ishte një akt normativ që u publikua në fletoren zyrtare ndërkohë që dekretimi mbretëror u bë më 26 janar 1938. Kështu viti 1938 shënon vitin kur shqiptarët e panë me vend dhe me vëmendje roorganizimin policor e për më tepër e panë të arsyeshme për t’u bërë si europianët me shkollë të policimit në Shqipëri sepse deri në këtë përiudhë përgatitja e kontigjenteve drejtuese të policimit ose vinin me origjinë nga ushtria ose më të shumtit nga xhandarmëria ndërsa me shkollë të mirëfilltë policore përgatiteshin vetëm jashtë vendit dhe sipas përvojave e praktikave të vendeve të ndryshme për policimin. Prandaj mund të themi se themelet e shkollës së policimit në Shqipëri i përkasin vetëm vitit 1938, pra 83 vite më parë. Ngritja e shkollës së policisë në nivel kursi njëvjeçar ishte rrjedhojë e një akti juridiksi dhe zhvillimeve në Shqipëri, ndërkohë që Xhandarmëria qytetase u kthye në Polici të Sigurimit Publik. Objekt i këtij zhvillimi ishin qytetet e mëdha të vendit sikurse ishte Tirana, Durrësi, Korça, Shkodra, Vlora, Saranda etj., ku në këto qytete pas kursit të policimit zyrat do të zotëroheshin nga “policët e shërbimit definitiv”.Organizimi strukturor fillestar niste me Drejtorinë e Policisë në Tiranë, që parashikonte të kishte 5 komiserë (komisarë policie), 7 nënkomiserë dhe strukturat bazë do të kishin një kotigjent prej 275 punonjësish. Por dekretligji për policinë parashikonte që zbatueshmëria juridike praktike të fillonte me përfundimin e kurisit të parë policor, do do të fillonte më1 shtator të vitit 1938 dhe do të përfundonte në vitin 1939. Ishte parashikuar gjithashtu që“Zyrat e Xhandarmërisë do të suprimoheshin kur të kishte marrë fund kursi i Policisë (sipas nenit 8 të ligjit “Për Policinë”) si dhe të jenë emëruar policët në shërbim definitiv.

Prefekturat, nënprefekturat dhe komunat në Shqipëri kishin për detyrë ligjore për “të nxitur djelmoshat (pra vetëm për djem jo për vajza), që kanë konditat e kërkueme”, sipas rregullores, për cilësitë e kandidatëve policë, që do të pranoheshin në kursin një vjeçar të policisë. Para se të thithej kontigjenti i parë i kursantëve të kursit policor i parapriu dalja e një rregulloreje të posaçme “Mbi organizimin e kursi policor”, rregullore e cila u publikua edhe në fletoren zyrtare nr.44 më 06.06.1938 (sipas përmbledhjeve të fletoreve zyrtare tëvitit 1938-DPASH dhe BK).

Nesë analizojmë dokumentin që rregullonte mbarëvajtjen e kursit një vjeçar të policimit, shikojmë ngjashmërnë me pranimet në kurset dhe shkollat e policimit të kohës, përvojë që dukej qartë ishte marrë nga modelet italiane të rregulloreve. Kështu që në parashtrimet hyrëse qartësohet se “MPB-ja bazuar në ligjin mbi krijimin e policisë si dhe në rregulloren  mbi organizimin e kursit Policuer, do të çeli një kurs një vjetor në Tiranë për policë…”. Që në fillim ishte vendosur se “fillimi i këtij kursi ka me u caktue më vonë”. Kursi do të drejtohej nga një oficer i Komandës së Mbrojtjes Kombëtare i zgjedhur me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që i gjithë personeli tjetër nga zëvendëskomandanti, përsoneli mësimdhënës si dhe ai mbështetës do të caktohej nga Ministri i Brendshëm. Sikurse është dokumentuar Komandanti i shkollës së parë të policimit një vjeçar me qendër në Tiranë ishte caktuar major Viktor Shanto dhe zv/komandant kapiten Syrja Sami. Në dokumentacionin arkivor por edhe në atë bibliografik gjejmë se pedagogët e parë të këtij kursi të policimit ishin kapiten Faredin Frashëri, Zihni Murati si dhe shumë të tjerë.Kishte fituar arsyeja mbi për t’u hapur njëshkollë policie. Kjo ka qenë e vetmja shkëndijë pozitive për policinë më 21 maj 1938, që shënon çeljen e Shkollës së parë të policimit në Shqipëri edhe pse hapja e kursit të parë të Policisë shqiptare shënon datën 1 shtator 1938. Për herë të parë hartohet edhe rregullorja e organizimit të kursit policor, që mban të njejtën datë. Në nenin 3 përcaktoheshin 12 lëndët e kursit policor një vjeçar: “Organizim shteti, Administrim, Institucionet e së drejtës civile, E drejta penale dhe ndërkombëtare, Organizimi i xhandarmërisë, Policitë e tjera, Njohuri mbi letërsinë botërore, Histori e Gjeografi Shqipërie, Hygjenë, Gjuhë e huaj (italisht), “Përdorimi i armëve dhe Edukim fizik”,[2] që ishin huazuar sipas programeve perëndimore të policimit.

Pranimi në këtë kurs bëhej me kritere strikte të cilat ishin parashikuar në rregulloren e kursit në artikullin/nenin 4 të rregullores, që thoshte: “kandidati për polic duhet të ketë këto cilësi të dokumentuara: 1. Të jetë shtetas shqiptar; 2.të ketë mbaruar shërbimin ushtarak aktiv dhe të ketëmoshën jo më të vogël se 22 vjeç, dhe jo më të madhe se 33 vjeç; 3. Të ketë mbaruar me sukses një semimaturë shkolle të mesme; 4. Të ketë konstruksion fizik të shëndoshë e të fortë si dhe lartësi trupi të paktën mbi 1.65 m; 5. Të ketë një jetë me të kaluar morale e politike të mirë; 6. Të mos jetë i dënuar penalisht ose politikisht. Rregullorja ishte mjaft ekzigjente duke shtuar edhe “Për vërtetimin e këtyre cilësive kandidatit duhet të paraqesë kësaj Ministrie lutje, së cilës do t’i bashkangjisë edhe këto dokumente”: 1.letërnjoftimin; 2.fletëlirimin nga shërbimi ushtarak aktiv; 3.certifikatën shkollore për kryerjen e një semimature ose të klasës më të lartë të një shkolle të mesme; 4.raportin mjekësor që të vërtetojë konstruksionin fizik të shëndoshë si dhe cilësinë e trupit; 5. Certifikatë të lëshuar nga zyrat administrative për vërtetimin e sjelljes morale e politike; 6. Certifikatë penaliteti”. Të gjitha këto lutje që vinin nga gjithë prefekturat, nënprefekturat si dhe nga komunat pranoheshin deri më datën 10 korrik të vitit 1938. Pas mbarimit të kursit kursantët i nënshtroheshin provimit me shkrim dhe me gojë dhe pas vlerësimit përfundimtar titulloheshin në detyra të policisë.[3] Dokumenti parashikonte njëherazi edhe pagesën për kontigjentin polic me shkollë që ishte në masën 150 franga ari, ndërkohë që për pjesën e kursantëve që nuk do të kalonin në provimet me shkrim dhe me gojë kishin të vetmen lehtësi se periudha një vjeçare e kursit u llogaritej ligjërisht se kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe “nuk do të merreshin në shërbim ushtarak”. Në fakt ky përcaktim ishte një shtojcë në dekretligjin e policisë të datës 26 janar 1938 (sipas përcaktimit të nenit 9, nëntë). (sipas Fletores zyrtare nr.73 të datës 26.09.1938). Për herë të parë kemi përcaktime ligjore të sakta edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ku “kandidati për drejtor i Përgjithshëm i Policisë duhet të ishte i diplomuar për drejtësi ose të kishte mbaruar arsimin e lartë ushtarak ose policor”, çka për këtë përiudhë që bëhet fjalë arsimimi policor ishte një numër shumë i kufizuar i kuadrit policor shqiptar, sepse shkolla e lartë e policimit nëShqipëri do të duhej të kalonin dekada.Në lidhje me “Kursin e parë të policimit”, kanë hedhur dritë edhe studiues e kërkues të policimit nëShqipëri si Dr. Bilbil Memaj, Prof. Dr. Luan Gjonça, Kolonel Hilë Lushaku, Dr. Albert Hitoaliaj, Dr. Hasan Shkëmbi, Dr. Albert Hitoaliaj, Dr. Bajram Yzeiraj, etj., por evidentimi i kësaj ngjarjeje për policinë dhe policimin në Shqipëri e veçanërisht për çpluhurizimin e këtij eventi ka qëllimin e mirë për të evokuar atë traditë sado modeste që Shqipëria ka në fushën e arsimimit policor dhe traditës së ndërtimit të një arsimimi edhe në këtë fushë deçizime, ndërkohë që sjellim në vëmëndje porositë e vazhdueshme të rilinësave anë të mëdhenj për të kthyer vështrimin pikërisht mbi arsimimin dhe përsëri për arsimimn, për dritën e mençurisë së të ardhmes së një kombi. Fakt është se pas pushtimit të vendit tonë u krijua “Trupi t’Armatosur Policije në Shqipëri” që “vëzhgon mbajtjen e rregulit dhe të sigurimit publik dhe në kujdestarinë për sigurimin e personave dhe ruajtjen e pronësisë, merr masa preventive dhe represive kundrejt fajeve, përkujdeset për mirëzbatimin e ligjeve dhe të rregulloreve të përgjithëshme e të veçanta të shtetit, të provincave dhe të komunave, vjen në ndihmë në rast fatkeqësish publike e private”. Edhe pse legjislacioni, ligjet, aktet juridike, rregulloret e udhëzimet e kësaj periudhe që ndryshe quhet “periudha e pushtimit”, ishin një kopje shabllone e legjislacionit dhe akteve të një shteti të madh e të fuqishëm që jo gjithmonë mundësohej përputhshmëria me kushtet konkrete shqiptare. Fati i kursit njëvjeçar të policimit në Shqipëri “u shkrua”, bashkë me pushtimin e prillit 1939, sepse për realizimin e arsimimit dhe trajinimeve të policisë shëqiptare u dërguan për studime në “Shkollën e Policisë” në Caserta të Italisë një grup rreth njëqind studentësh shqiptarë të emërtuar: “I-Corso Allievi Albanesi” në “Scuola Di Polizia-Caserata”. 

Kronologji e krimimit të shkollës sëparë të policisë në Shqipëri:

Janar-korrik 1937. Hartohet projektligji “Për organizimin e policisë shqiptare”.

2.08.1937. Ministri i Brendshëm ju drejtua zyrtarisht Këshillit të Ministrave për rikrijimin e policisë në disa qytete të vendit, bashkë me raportin justifikues, ku detajonte qytetet, strukturën policore, vartësinë, pagat dhe funksioni i shtuar i drejtorit të policisë me 450 franga ari në muaj.

5.08.1937. Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrit të Brendshëm për krijimin e Policisë së Sigurimit Botor (Publik). Këtu fillon zanafilla e domosdoshmërisë së arsimit policor.

19.01.1938. Shpallet akti normativ “Për organizimin e Policisë”.

26.01.1938. Behët dekretimi mbretëror i aktit normativ “Për organiziminb e Policisë”. (ka edhe ndonjë burim jo plotësisht i konfirmuart për miratimin e “dekretligjit për policinë”, që ja faturon datën 20.1.1939 dhe dekretimin 2.2.1939, gjë e cila nuk faktohet në dokumente të tjerë.

11.05.1938.Me shkresë nr. 5088 datë 11.05.1938, nga ish ministri i Brendshëm i kohës Musa Juka u dërgua urdhëri me nr. 143 “Për shpalljen e kursit Policor”, nëpërmjet të cilëve jepeshin porosi për çdo prefekturë/nënprefekturë e komunë.

21.05.1938. Çelet në Tiranëshkolla e parë e Policisë shqiptare.

06.06.1938. Në Fletoren Zyrtare publikohet “Rregullorja mbi organizimin e kursit Policuer”.

10.07.1938. Ky ishte afati përfundimtar i dorëzimit të lutjeve për pranim në kursin një vjeçar të policimit nga gjithë prefekturat, nënprefekturat dhe komunat.

1.09.1938. Çelet kursi i parë plicor në shkollën e parë të Policisë shqiptare në Tiranë.

07.04.1939.Pushtimi i Shqipërisë nga Italia. Përmbyset gjithçka ishte ngritur, dekretohet Xhandarmëria dhe roja e kufinit e Fuqinat e Armatosuna Shqiptare dhe katër muaj pas pushtimit del dekreti mbretënuer nr.72 datë 31.08.1939, “Për krijimin e nji Trupi t’Armatosur Policije në Shqipëri”.

[1] AQSH, Viti 1912, Fondi dokumentar, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 Datë 28.11.1912,

[2]Parënë plan të përgjithshëm për organizimin strukturor të kursit të policimit në Shqipëri, edhe pse ishte një hap përpara krahasuar me vendet e policive të tjera europiane mund të themi se Policia dhe sigurimi publik ishte e modeluar tërësisht sipas përvojës italiane. Por ky lloj kursi e pati jetën e saj vetëm një vit për arsye sepse u mbyll nga pushtimi i venditn një vit më pas më 7 prill 1939. Pas pushtimit të Shqipërisë u dërguan për studime 100 studentë shqiptarë në Shkollën e Policisë në Caserta në Itali të cilët e përfunduan këtë shkollë dhe u emëruan në detyrat e policimit nën pushtimin Italian në Shqipëri.

[3]DPASH, Fondi dokumentar i Komandës së Përgjithëshme të Xhandarmërisë. Dosja nr. 77. Viti 1936, faqe 5. Komandant i shkollës së pare të policimit njëvjeçar me qendër në Tiranë ishte major Viktor Shanto dhe zv/komandant kapiten Syrja Sami ,ndërkohë që pedagogë ishin kapiten Faredin Frashëri, Zihni Murati etj. Refernca gjendenet dhe tek libri Teki Selenica, “Shqipëriamë 1937”, Tiranë, 1938, faqe 163, si dhe Fletorezyrtare nr.4, viti 1938, Rregullore e organizimit të Kursit policor, 21 maj 1938.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: