Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi informon se në 6 ditët e para të operacionit ”Bregdeti ynë” janë shembur 35 objekte pa leje në Ksamil, Sarandë e Velipojë, kurse 10 të tjera i kanë prishur vetë ndërtuesit.

”Fillimi i fundit  të marrëzisë për të ndërtuar pa leje” e konsideron Çuçi këtë operacion i cili do të vijojë në gjithë bregdetin shqiptar.

Bashkangjitur këtij operacioni, Policia ka arrestuar 5 persona dhe ka shpallur në kërkim 1 tjetër.

“Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës. Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet. E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime”- tha Çuçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb