Vaksinimi i studentëve ka prodhuar një debat të madh publik. Shumica e studentëve, kanë refuzuar të aplikojnë vaksinën, edhe pse, është një kusht për frekuentimin e auditorëve.

Për të folur mbi këtë çështje, në rubrikën “Opinion”, në “News 24” ishin të ftuar, zv. ministri i Arsimit, Oltion Rrumbullaku dhe zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Rrumbullaku tha se vaksinimi duhet bërë, pasi ky model po ndiqet dhe në shumë universitete të botës, ku norma e saj është në masën mbi 85%.

Ai tha se fokusi kryesor duhet të jetë pikërisht te vaksinimi i studentëve dhe jo te penalitetet që ato do të hasin nëse nuk zgjedhin të vaksinohen. Nga krahu tjetër, Rakacolli theksoi se deri më tani janë vaksinuar rreth 35% e studentëve. Ajo e cilësoi vaksinimin si një detyrim, për të mbrojtur shëndetin publik.

Pjesë nga biseda në studio:

Situata sot në ditën e dytë të vitit akademik?

Oltion Rrumbullaku: Është shumë e rëndësishme të kuptojmë dhe vlerësojmë faktin që më në fund mësimi po zhvillohet në auditorë. Në këtë rast edhe në Kosovë dje filloi mësimi në arsimin universitar. Edhe në Kosovë janë po të njëjtat kërkesa. Te ne përbën më shumë lajm këtë gjë, pavarësisht se për mua lajmi kryesor është që filloi mësimi. Në të gjitha universitetet, dita ka qenë ditë orientimi, kryesisht për studentët e vitit të parë dhe të dytë. Ky orientim vazhdon në shumë aspekte edhe sot, në shumë klasa, në vitet e treta apo të dyta master ka filluar mësimi. Si sot dhe në vazhdim në çdo universitet, janë mundësitë për të kryer vaksinat.

Duket se jo të gjithë janë ndërgjegjësuar për të kryer vaksinën. Është kështu?

Oltion Rrumbullaku: Nëse do të shikoni pak edhe shifrat që janë tani në botë, për faktin se studentët janë në ambiente të përbashkëta, patjetër që ky është një nga kushtet kryesore, vaksinimi. Patjetër që ky informim, do të informojë dhe studentët tanë që të vaksinohen, të ruajnë veten, kolegët dhe të vazhdojnë mësimin në mënyrë normale. Stendat e vaksinimit do të qëndrojnë atje dhe do të jetë mundësia që vaksinimi të vazhdojë, por e rëndësishmja është rikthimi në auditor.

Çfarë shifrash keni?

Mira Rakacolli: Sot që po flasim në Havard 97% janë të vaksinuar.

Pse nuk ndodh kjo në Shqipëri. Ju keni bërë fushatë të vazhdueshme, keni treguar sa e rëndësishme është vaksina, ndërkohë duket se ka një stepje?

Mira Rakacolli: Dëshira jonë për të pasur shifra më të mira te studentët, kjo është dëshira jonë dhe është e vërtetë se nuk ka një shifër si ne do të donim të ishin te studentët. Patëm pak raste në fillim të verës, ato raste u shtuan më vonë, pati dhe disa media jo serioze keqinformim për vaksinën, nga disa persona jo profesionistë u përmendën efekte të rreme të vaksinës si fertiliteti. Unë besoj që shifrat e të vaksinuarve do të rriten shpejt.

Studentët janë pranuar edhe të vaksinuar, jemi në javë ndërgjegjësimi?

Mira Rakacolli: Po. Jam e bindur se studentët do të paraqiten për t’u vaksinuar.
Oltion Rrumbullaku: Universitetet janë autonome, ata kanë bazën rregullatorë orientuese nga Ministria e Shëndetësisë dhe e zbatojnë. Fokusi kryesor është fillimi i mësimit. Në këtë rast, në vendet e tjera ku është e detyrueshme vaksina janë në nivelin 95%. Tani po shoh një lajm që studentët në total janë vaksinuar 86%. Atje ka hapësira për të marrë leje nga mjeku përkatës dhe të përdorur testet PCR. E rëndësishme është të fillojë mësimi dhe studentët të kenë mundësi vaksinimi kurdoqoftë që ata do e gjykojnë pjesëmarrjen në vaksinim. Studentët duhet të mbrojnë veten, njëri-tjetrin, pasi natyrisht që kontaktet e tyre në universitet është më i madh se sa në vendet e tjera.

A rrezikohet të kthehemi siç ishim?

Oltion Rrumbullaku: Unë kisha një komunikim me kolegun tim në Kosovë dhe jemi në të njëjta kushte, në një krahasim perfekt, me të njëjtën datë po fillon shkolla, të njëjtat kushte janë. Ajo që ndodh ndryshe në Shqipëri dhe Kosovë është drita më negative e vaksinimit. Një pjesë e thekson dhe media. Po të kërkosh lajm për Kosovën nuk del që ka pasur problematikë që studentëve po u kërkohet vaksinimi apo testi për të hyrë në universitet. Në momentin që ne themi do të pengohen apo s’do të pranohen studentët, e nuk merremi me thelbin që studentët duhet të vaksinohen sa më shumë, për të shpëtuar veten dhe të tjerët.

Studentët duhet të kenë të paktën një vaksinë?

Mira Rakacolli
: Po, munden edhe me të parën që të pranohen. Duhet patjetër që të vaksinohen sepse është për shëndetin e tyre. Duhet të mbrojnë familjen, veten dhe shokët e tyre. Nuk është thjesht e drejt personale, është një gjë që shkon në detyrimin që kemi për shëndetin publik sepse nëse dikush kërkon që të shkojë i infektuar pse duhet t’ia transmetojë të tjerëve. Vaksinimi është detyrim për shëndetin publik.

Nëse nuk vaksinohet studenti, a do të mund të pranohen me test PCR gjatë gjithë vitin?

Oltion Rrumbullaku: S’duhet të merremi me këtë, por duhet përqendruar biseda te vaksinimi. Kategoritë me risk duhet të vaksinohen, e ne duhet të fokusohemi te kjo e jo penalizmi. Ne duhet të fokusohemi te kjo gjë. Kur vijnë shifrat që raportohen çdo ditë, kur shohim jetët e humbura, shumica prej tyre do të kishin shpëtuar nëse do të bëhej vaksinimi. Jetët e humbura kryesisht janë te të pa vaksinuarit.
Sa studentë janë vaksinuar, sa humbje jete ka?

Mira Rakacolli: Në rezultatet e djeshme, fatkeqësisht përqindja e vaksinimit ka qenë rreth 35 %.

Oltion Rrumbullaku: Unë si pedagog duke qenë se kishim tre semestra që nuk bënim mësimin në auditor, thamë që në këtë moment, është hera e parë që bëhen dy vite bashkë që po orientohen për fillimin e universiteteve. Ka studentë që nuk njohin auditorët, klasat. Imagjinoni viti i dytë këtë vit dhe viti i parë që po orientohen se si zhvillohet mësimi i vërtetë. Kjo ishte një nga çështjet shumë të rëndësishme që duhet të bënin universitetet. Studentët që kemi jashtë, në Itali, Gjermani apo Angli, që është e detyrueshme vaksina 100%. Nuk diskutohet atje. Ndaj dhe këto universitete kanë norma 95%.

Edhe ne me detyrim e kemi vaksinimin?

Mira Rakacolli: Ne themi që duhet t’i sigurojmë studentëve ambient të shëndetshme. Për ta siguruar këtë duhet të paraqesin kartelën e vaksinimit dhe janë krijuar mundësitë e vaksinimit.

Këto shtetet që ju përmendët a kanë pengesa për mos kryerjen e vaksinës?

Oltion Rrumbullaku: Edhe vendet e tjera e kanë. Ne jemi në procesin e informimit dhe nxitjes. Në momentin që themi që nuk gjen një shtet në Evropë që të ketë një normë të vaksinimit të studentëve nën 80%, atëherë është arritur një efekt maksimal i vaksinës.

A mendoni se do të vaksinohen studentët?

Oltion Rrumbullaku: Unë do të kisha një kërkesë. Ata kanë pasur në gjimnazet e tyre shokë klase që studiojnë jashtë dhe mjafton që të diskutojnë me to, t’i pyesin si është këndvështrimi në këto shtete dhe të marrin informimin e duhur se çfarë po ndodh atje dhe të shkojnë të vaksinohen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb