Ka filluar prej disa ditësh rehabilitimi i shtegut të Eremitëve, një nga atraksionet më të frekuentuara turistike në qytetin e Beratit.

Shtegu fillon pranë Katedrales së “Shën Mërisë” pranë rrugës kryesore, në fundin e pjesës jugore të lagjes Kala dhe më pas gjarpëron përmes një pamje piktoreske për të përfunduar në Kishën e “Shën Mëhillit”, që daton në shekullin e XIV dhe që ndodhet e gdhendur në mes të një shkëmbi të thepisur poshtë Tabes.

Përgjatë shtegut që po rehabilitohet, ndodhen të gdhendura disa shpella, të cilat dikur përdoreshin më së shumti nga oshënarët apo siç quhen ndryshe eremitët e dikurshëm. Ato gjenden brenda fortifikimit të poshtëm të Kalasë dhe rrethojnë kishën, duke të dhënë përshtypjen e një kompleksi eremit, ku shekuj më parë grupe njerëzish praktikonin jetën e ashpër shpirtërore në vetmi të plotë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga aty vazhdon një trajektore panoramike e cila shkon deri te kulla e parë e galerisë së ujit dhe vazhdon deri në murin rrethues të Kalasë, ku një portë e këtij shtegu të fton të hysh në sheshin e Katedrales së vjetër të Shën-Gjergjit.

Projekti i rehabilitimit të këtij shtegu të rëndësishëm turistik për qytetin e Beratit parashikon ndriçimin dekorativ të të gjithë itinerarit kulturor të shtegut të Eremiteve, rritjen e aksesit në shteg si dhe pranë disa prej monumenteve kryesore përgjatë tij, rritjen e forcës atraktive të zonës përmes ndriçimit të posaçëm dekorativ, rritjen e numrit të vizitorëve me të paktën 30 % përgjatë shtegut dhe pasurimin e jetën rekreative në qytet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb