Në Tiranën e vitit 1984 mbërrin nga Austria profesor Paul Lendvai. Me premtimin se do të bënte një dokumentar ku do ta krahasonte Enver Hoxhën me Skënderbeun, atij i jepet leja që të xhirojë kudo në Shqipëri për 21 ditë. Më shumë se tri dekada më vonë filmi u shfaq gjatë “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, ndërsa përkthyesi Sokol Mici, që e shoqëroi, kujton:

“Lendvai iu kishte thënë autoriteteve tha që do bëj film të çmendën serbët. Ata i dhanë leje dhe ai ishte shumë më i lirë se gazetarët e tjerë për të xhiruar”- thotë Mici.

Sipas tij, partia donte ta shfaqte dokumentarin kudo nëpër Shqipëri.

Në të kundërt Paul Lendvai udhëtoi kudo në Shqipëri për të treguar radhën e qytetarëve për të blerë ushqime, dyqanin e mishit të mbyllur, vendin të mbushur me statuja të Leninit, Stalinit e Enver Hoxhës duke denoncuar hapur propagandën dhe ngritjen e Hoxhës në pushtet.

“Kur përktheva filmin për udhëheqjen, dhe panë që filmi nuk ishte ashtu siç Lendvai e kishte premtuar, u zunë. Debati u bë kush ia kishte dhënë lejen e lirinë atij për të parë e xhiruar kaq shumë”, thotë Mici.

Ai tregon një rast, kur profesori që njihte mirë sistemet e Europës Lindore arriti të dilte jashtë skenarit të autoriteteve komuniste.

“Për të gjitha vizitat e kësaj natyre kishte një program që ndiqej. Lendvai nuk e ndoqi. Një rast e kishim lënë që do xhirohej një dyqan mishi. Ai shkoi te dyqani i mishit pa shoqërues, dhe pa që shitësja nuk e kishte nisur shitjen pa shkuar grupi i xhirimit. Njerëzit ishin në radhë po ankoheshin. Ai kuptoi çdo gjë, që shteti nuk arrinte të furnizonte me ushqim qytetarët e vet, që socializmi kishte dështuar”, tregon Mici.

Filmi i Paul Lendvai hedh dritë mbi qasjen që shteti komunist kishte me të huajt dhe propagandën me të cilën ushqente qytetarët e vet, në mungesë të mallrave ushqimore, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi aftësitë e pushtetit për të manipuluar në çdo kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb