PRISHTINË– Filmi “Burrneshat” me regji të regjisores italiane Laura Bispuri dhe skenar të Laura Bispuri dhe Francesca Manieri u dha premierë botërore mbrëmjen e djeshme në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit.

Ky film i metrazhit të gjatë është në konkurrencë zyrtare për Ariun e Artë dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në 15 shkurt, thekson njoftimi i dërgur nga Qendra Kinematografike e Kosoves.
Kjo është hera e parë që një film në bashkëprodhim me Kosovën është në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjoz Berlinale.

Në këtë film luan aktorja e njohur italiane për disa çmime Alba Rohrwacher bashkë me Flonja Kodheli, Lars Eidinger, Luan Jaha, Ilire Çelaj, Bruno Shllaku etj. Aktorët kaluan në tapetin e kuq të këtij festivali. Filmi u prit jashtëzakonisht mirë, gjë që u tregua edhe nga duartrokitjet pafund të shikuesve.

“Burrneshat” është i mbështetur në romanin e Elvira Dones “Hana” dhe flet për Hana Doda e cila, ende një vajzë e vogёl, braktis fatin e saj për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar kjo pёr gratë në malet e ashpra të Shqipërisë. Duke ndjekur udhëzimet e ungjit të saj, i bindet ligjit tё vjetër të Kanunit, i cili i jep grave mundёsinё për të jetuar të lirë si burrat duke pasur një pushkë, për të marrë në kёmbim betimin e virgjërisë të përjetshme. Për të gjithë Hana – Marku, bëhet një “virgjëreshë e betuar”.Filmi Burrneshat shkëlqeu në Berlinale (4)

Filmi “Burrneshat” është bashkëprodhim i Italisë (Vivo Film, Colorado Film Production), Kosovës (Era Film), Shqipërisë (Era Film), Zvicrës (Bord Cadre Film), Gjermanisë (Match Factory). Filmi eshtë i financuar nga Ministria e Kulturës në Itali, Qendra Kinematografike e Kosovës, Euroimages dhe nga Media Programme (Komuniteti Europian). I mbështetur nga televizionet RSI (Radio Televizioni Zviceran) dhe RAI CINEMA (Radio Televizioni Italian).

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb