“Ne ende nderojmë Aleks Budën si Eqrem Çabejn, e gjejmë në universitet, në vend ta kritikojmë”. Kështu u shpreh Fatos Lubonja pas shfaqjes së filmit austriak të 1984 “Nga Skënderbeu te Enver Hoxha” në kuadër të Ditëve të Kujtesës organizuar nga IDMC.

Autori i dokumentarit, Paul Lendvai tregoi se “nuk jam lejuar të takoj kundërshtarë të regjimit. Ne ndiqeshim këmba-këmbës, kudo që shkonim, edhe në darkë. Nuk kishte asnjë mundësi që të flisnim me asnjë njeri. Ata që na shoqëronin, ishin po ashtu në vëzhgim. Ishte e pamundur. Sigurisht unë kisha informacione për historinë e Shqipërisë. Aleks Buda ishte më i sofistikuar edhe pse duhej të ishte më propagandën”.

Sipas Fatos Lubonjës, një mbresë i lë titulli, sepse një problem i historiografisë është narrativa mbi heroizmin e popullit ndër shekuj dhe vijimësia siç thotë Aleks Buda atje.

“Uniteti i popullit përreth Skënderbeut siç thotë Buda, është  konstruksion komunist për të treguar unitetin e popullit rreth Hoxhës. Problemet që ka krijuar ai sistem nuk janë vetëm burgjet, por edhe kjo trashëgimi historike që është dominante. Aleks Budën po të shkosh te Fakulteti i Historisë e gjen në përkrah Eqrem Çabejt si dy etërit e historiografisë. Në një parathënie që ka bërë Schmitt flet jo vetëm për metodën sovjetike të historisë, por edhe për ata që studiuan në Vjenë dhe punuan me atë metodë. Dhe e ka fjalën për Aleks Budën”, tha Lubonja.

Sipas tij, kjo narrativë vazhdon edhe sot, e ka bërë që shqiptarët të jetojnë mes lavdisë së botës së propagandës dhe  botës reale. “Kjo narrativë vijon dhe sot, sepse këta autorë nderohen, në vend që të kritikohen. Është e lidhur narrativa me atë që jemi. Në dokumentar mungon një detaj. Në ato filmime shfaqen edhe vepra industriale, një pjesë e mirë janë ndërtuar nga të burgosurit politikë. Është një dokumentar që vlen sepse demonton propagandën”, – tha Lubonja. Në vijim, Godole tha se elitat nuk ndryshuan as qasja ndaj tyre, për çka Lubonja tha se narrativa është e njëjta, sepse Shqipëria është ende e izoluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb