Nga: FATMIRA NIKOLLI
Nga terrori komunist te ngjarjet e vitit 1997, nga internimet dhe dhimbjet dhe hija(mentaliteti) e Hoxhës në Shqipëri!
“Flijimi i Enver Simakit” ose “The crysalis ”(Kukuthi) titullohet filmi spanjoll i regjisorit Marco Liedo Escartin. Gjithçka merr shkas nga një ngjarje e vitit 1997 dyshimet dhe pikëpyetjet mbi të cilin ngrihen në ditët tona.

“The crysalis”, mos shiko, mos mendo, mos e zgjo Kukuthin. Me këto fjalë prezantohet filmi me një poster të thjeshtë ku në një fond gri lexohet edhe fraza “Sigurimi. Dokumentet e klasifikuara”. Është një film që bazohet në një ngjarje të vërtetë e që ka mbledhur në një ajkën e aktorëve shqiptarë: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Laert Vasili, Ema Andrea dhe aktori nga Kosova Lulzim Guhelli.

Pas 18 vjetësh nga Masakra e Mesopotamit, në të cilën humbi jetën Angela, një gazetare spanjolle që mbulonte kronikën e vitit 1997 për një televizion spanjoll në Shqipëri, i dashuri i saj vjen për të zbuluar të vërtetën mbi këtë ngjarje. Ai do të përballet me bestytnitë makabre, me viktimat e terrorit komunist dhe, gjithashtu, me një legjendë të mistershme mbi krijesën “Kukuth”… Mos fol! Mos mendo! Kukuthi përgjon!

FILMI
“GSh” kontaktoi Laert Vasilin për të mësuar më shumë mbi filmin. Vetë Vasili interpreton rolin e një gazetari shqiptar që shoqëron gazetarin spanjoll që kërkon arsyet e vrasjes së të dashurës 18 vite pas 1997-ës. Njëherësh, ai bëhet përkthyes i grupit që vjen nga Spanja.

Tinka Kurti dhe Viktor Zhusti, në film janë burrë e grua, një çift, i cili ka qenë i internuar nga regjimi komunist dhe kanë një djalë, një djalë me sëmundje të pashërueshme. Është gjigand në përmasa dhe bashkë me dy vëllezërit e tij, kanë organizuar masakrën e Mesopotamit ku u vranë shumë njerëz, e mes tyre edhe gazetarja spanjolle.

Margarita Xhepa interpreton rolin e një gruaje tashmë në moshë, por që gjatë komunizmit është torturuar nga regjimi, është mbyllur në psikiatri.

“Të gjithë këto personazhe tregojnë përgjatë filmit, historinë e jetës së tyre, se si u gjendën përpara kësaj masakre. Duke treguar jetën e vet, ata tregojnë copëza të historisë së Shqipërisë që ka jetuar bashkë me ta, të njëjtat tmerre e masakra”, thotë Vasili.

Gazetari spanjoll vjen për të zbuluar ngjarjen që i mori jetën të dashurës së tij gazetare, pothuaj dy dekada më parë. Gjatë qëndrimit të tij, ai mëson se si kjo popullsi ka mbetur në atë zonë, si kanë ardhur nga vende të tjera dhe se si kanë qenë internuar.

“Po ashtu, skenari zbulon pak e nga pak si këta njerëz morën armët dhe si dhe pse ndodhën trazirat e vitit 1997”, thotë Vasili.

Në këtë itinerar, Vasili është ai gazetari i ri, që shoqëron spanjollin, që i përkthen atij çdo gjë dhe, në fakt, është edhe pika e kontaktit që e ndihmon spanjollin të takojë të gjithë personazhet e tjera.

“(Filmi) Gazetari spanjoll zbërthen disa fenomene njerëzore, njihet me realitetin shqiptar dhe kupton që nuk ishte vetëm një shpërthim 1997-a, se ato që ndodhën nuk ishin vetëm “hapje deposh”. “Ai kupton si shkoi situata deri aty”- tregon Vasili për GSH.

Sipas tij, gazetari spanjoll përballet me një histori që tregon edhe një përmasë tjetër. “Banorët tregojnë për një krijesë që është kukuthi. Filmi është horror dhe flitet për një kukuth që del nga liqeni, fluturon lart. Ai është, në fakt, mallkimi i këtij vendi, në një farë mënyre është një metaforë mbi fantazmën e diktatorit, që endet në këtë vend dhe qëndron si një mallkim.

Nuk është fantazma e vërtetë, aludohet për një fantazmë, e cila nuk është fizikisht, por nuk ka vdekur si mentalitet”.
Xhirimet e filmit janë bërë në muajt e pranverës në Shqipëri, Mespotam, Pogradec etj. dhe në Spanjë. Përveç ekipit të aktorëve shqiptarë, ka edhe të huaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: