Barriera/Muri ndarës i Bregut Perëndimor – i ndërtuar nga Izraeli për të ndarë izraelitët dhe palestinezët – filloi në vitin 2002. Në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), e krijuar nga OKB-ja për të trajtuar mosmarrëveshjet midis kombeve, vendosi që Muri shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe duhet të çmontohet. Duke qenë se gjykata nuk ka fuqi detyruese, zbatimi i vendimeve të saj varet nga bashkësia ndërkombëtare. Njëzet vjet më vonë, asgjë nuk është bërë. Me një karrierë të përqendruar në veprimin humanitar duke përfshirë nëntë vjet në Palestinë, zvicerani, Stefan Zeigler ka realizuar filmin, “Mandati”, që u shfaq në shkollën e Magjistraturës ku pyet kush e ka mandatin për të vepruar.
“Kam punuar gjatë në këtë fushë dhe jam të bëj njerëzit të ndryshojnë ligjin ndërkombëtar për çështje në konflikt. Ligji ndërkombëtar merret me të drejtat e njeriut dhe ka një botë jashtë universitetit, janë njerëzit që duhet të dinë të drejtat e tyre në ligjin ndërkombëtar. Studentëve dua t’u them se ka njerëz jashtë, që kanë nevojë për ligjin ndërkombëtar më shumë se sa ju në universitet”- tha Zeigler.
I shfaqur në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut, “Mandati” vjen si një triptik, me intervista të paprecedenta me gjyqtarë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me argumente përse ka rëndësi drejtësia dhe te përgjegjësia individuale e komunitetit ndërkombëtar.
“Ka qenë e vështirë ta bësh këtë film, duhet të kesh akses te avokatët dhe gjyqtarët. Duhet ndërtuar besim. Është e rëndësishme që filmi të shihet aty ku njerëzit janë më vulnerabël për shkak të ligjeve që thyhen në luftëra. Gjithnjë e më shumë duhet të dihet se ligji ndërkombëtar, i përket njerëzve dhe jo disa librave e gjykatave, ndaj edhe mes avokatëve ka pakënaqësi sepse njerëzit që duhet të kenë mandatin për të vepruar janë të përjashtuar nga procesi tërësisht”, tha Zeigler.
Tema e sivjetshme e festivalit është “Të drejtat e njeriut në epokën digjitale”, ndërsa më se 30 filma, sjellin vëmendjen, nga politikat, vendimet, inteligjenca artificiale, riarmatimi, dronët dhe kërcënimet kibernetike. “Mandati” rreket të japë shpresë për atë që sheh si një moçal ndërkombëtar i papajtueshëm dhe i dëshpëruar; duke filluar me gjyqtarët që japin alarmin për nevojën urgjente të mbështetjes për drejtësinë ndërkombëtare, deri te regjisori që merr këtë mandat për rolin dhe përgjegjësinë e shoqërisë civile.
