Në vitin 2004, vetëm disa muaj para se të rizgjidhej president, rrjeti televiziv CBS publikoi një raport, ku thuhej se George Ë. Bush i kishte bërë bisht shërbimit ushtarak në vitet 1970. Dokumentet që përforconin këtë histori, u zbulua shpejt se ishin falsifikime dhe ky dështim i kushtoi një numri gazetarësh dhe producentësh të nivelit të lartë, humbjen e vendeve të punës. Filmi “Truth” – “E Vërteta”, është një paralajmërim për përgjegjësitë e gazetarëve për të krijuar histori të besueshme, të bazuara tek faktet e vërteta.

Gazetari i njohur i televizionit CBS, Dan Rather dhe producentja e tij, fituese çmimesh gazetarie, Mary Mapes, zbulojnë fakte se Presidenti George W. Bush, i cili po kandidonte për një mandat të dytë, shfrytëzoi familjen dhe lidhjet e tij politike për të shmangur Luftën në Vietnam, duke u regjistruar në radhët Rojes Kombëtare. Dokumentet, po ashtu tregojnë se ai nuk i kishte kryer detyrat e tij si pilot, kur shërbente në atë post.

Mary Mapes dhe ekipi i saj i vërtetuan firmat e dokumenteve dhe morën konfirmimin nga disa burime për saktësinë e tyre. Duke menduar se kishin prova të mjaftueshme Dan Rather e paraqiti raportin më 8 shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Por përgëzimet nuk patën jetë të gjatë. Blogerët konservatorë thanë se dokumentet ishin false, krijime me kompjuter dhe jo kopje të materialeve origjinale të viteve ’70. Kur ekipi i gazetarëve i kërkoi burimit që të tregonte të vërtetën, ai nuk mundi të konfirmonte se nga vinin kopjet.

Dan Rather u detyrua të largohej nga puna dhe Mary Mapes u përball me një hetim të brendshëm lidhur me motivet për transmetimin e raportit.

Filmi, i bazuar në librin me kujtime të Mary Mapes, “E vërteta dhe detyra: shtypi, presidenti dhe privilegji i pushtetit”, ofron një vështrim empatik të producentes së guximshme të rrjetit CBS, e cila mban peshën kryesore të përgjegjësisë për raportin. Filmi le të kuptohet se Mary u sakrifikua nga rrjeti, në përpjekje për të mbrojtur interesat e veta në një mjedis të politizuar.

Filmi shmang kurthin e paragjykimeve, falë një ekipi mjaft të mirë krijuesish dhe producentit të filmit, që provokon mendime. Robert Redford interpreton një Dan Rather të vetëpërmbajtur dhe Cate Blanchett ofron një interpretim që meriton Oscar, për rolin e producentes që u bë objekt sulmi.

Producenti James Vanderbilt shpalos një histori të balancuar, duke i dhënë shikuesit prishjen hap pas hapi të një raportimi, ku e vërteta humbet tek detajet.

“Historia jonë kishte të bënte me faktin, nëse Presidenti e kishte kryer shërbimin. Por askush nuk do të flasë për këtë. Ata duan që ne të flasim për falsifikime. Dhe shpresojnë që vetë Zoti të ngatërrohet në këto përleshje,” thotë në film aktorja kryesore Cate Blanchett, në rolin e Mary Mapes.
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: