Një mjeke e njohur ukrainase, e cila filmoi çastet e tmerrit në Mariupolin e rrethuar, është liruar nga forcat ruse, tre muaj pasi u kap rob në rrugët e qytetit.

Yuliia Paievska, e cila njihet në Ukrainë si Taira, duke përdorur një kamera trupi, regjistroi përgjatë dy javëve pamje ku shihej procesi i shpëtimit të të plagosurve, duke përfshirë ushtarë rusë dhe ukrainas.

Ajo ia transferoi pamjet një ekipi të Associated Press, gazetarëve të fundit ndërkombëtarë në qytetin ukrainas të Mariupolit, njëri prej të cilëve u arratis nga Ukraina më 15 mars.

Taira dhe një koleg u kapën rob nga forcat ruse më 16 mars. Në të njëjtën ditë, një sulm ajror rus goditi një teatër në qendër të qytetit, duke vrarë rreth 600 njerëz, sipas një hetimi të AP.

“Ishte një ndjenjë kaq e madhe lehtësimi. Tingëllojnë si fjalë kaq të zakonshme, por nuk di çtë them tjetër”, tha bashkëshorti i saj, Vadim Puzanov.

Ai tha se foli me telefon me Tairan, e cila ishte rrugës për në një spital të Kievit dhe kishte frikë për shëndetin e saj.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi lirimin e Tairas në një fjalim kombëtar.

“I jam mirënjohës të gjithëve që punuan për këtë rezultat. Taira është tashmë në shtëpi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i liruar të gjithë personat të cilët janë rob të trupave ruse”, tha ai.

Qindra ukrainas të shquar janë rrëmbyer ose kapur, duke përfshirë zyrtarë lokalë, gazetarë, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Rusia e portretizoi Taira si pjesë të Batalionit Azov, anëtarët e të cilit bënë edhe rezistencën e fundit ukrainase në qytetin e Marioplit, përpara se të dorëzoheshin.

Puna e Tiarësështë edhe dëshmi e përpjekjeve për të ndihmuar të plagosurit dhe vërteton se nuk ishte pjesë e batalionit dhe nuk mori pjesë aktive në luftime.

Një video e regjistruar më 10 mars tregon dy ushtarë rusë të nxjerrë nga një ambulancë nga një ushtar ukrainas. Njëri është në një karrige me rrota. Tjetri është në gjunjë, me duar të lidhura pas shpine, me një dëmtim të dukshëm në këmbë. Sytë e tyre janë të mbuluar me kapele dimërore dhe mbajnë shirita të bardhë.

Një ushtar ukrainas mallkon njërin prej tyre. “Qetësohu, qetësohu”, i thotë Taira.

Një grua e pyet: “A do të trajtosh rusët?”

“Ata nuk do të jenë aq të sjellshëm me ne”.
“Por nuk mund të bëja ndryshe. Ata janë robër lufte”, përgjigjet ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: