BERAT- Dy të rinj nga Berati kanë përdorur disa foto dhe video intime për të shantazhuar një vajzë, kundrejt dhënies së parave. Por vajza me inicialet A.K, pas kërcënimeve të vazhdueshme i ka denoncuar dy të rinjtë.

Nisur nga kjo, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjyq dosjen penale ndaj shtetasve Pandaleimon Zhonga dhe Marjus Doko. të cilët akuzohet për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e kryer në bashkëpunim.

Ngjarja, sipas Prokurorisë, ka ndodhur në dhjetor të vitit 2015, kur dy të rinjtë kanë kërcënuar një vajzë në Berat se do t’i publikonin në “Facebook” foto e video intime. Duke përdorur dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës, ata i kanë kërkuar një shumë prej 300.000 mijë lekësh të vjetër, me qëllim për të mos i publikuar në këtë rrjet disa foto dhe video intime të saj.

Siç bëhet e ditur nga hetuesit, njëri nga djemtë kishte pasur një lidhje intime me vajzën. Gjatë kësaj lidhje, ai kishte arritur ta fotografonte vajzën në situatë intime dhe madje të realizonte edhe një video me të.

Ndërkohë disa muaj pas regjistrimit të videos, i riu bashkë me shokun e tij e ka kërcënuar vajzën duke i kërkuar 300 mijë lekë.

Pas denoncimit të vajzës, policia ka arrestuar dy të rinjtë, të cilët tashmë do të përballen me akuzat në gjykatë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: