Nga: MARIGLEN MERTIRI*

TIRANË- Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë e cilëson projektligjin e ri për Arsimin e Lartë me tendenca kontrolluese dhe mungesë të përgjegjësisë së shtetit për arsimin publik. Pas përfundimit të mbledhjes, shefja e departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri deklaroi se projektligji i ri ka marrë në konsideratë një pjesë të sugjerimeve ndërsa thellësisht mbetet e pandryshuar fryma e ligjit. Afati prej 24 orësh i lënë për të premten e shkuar për dhënien e sugjerimeve ka qenë i pamjaftueshëm, ndaj ky fakultet sot ka hartuar sugjerimet konkrete drejtuar Ministrisë së Arsimit.

“Një 10% e rekomandimeve janë marrë parasysh apo e neneve janë ndryshuar dhe pjesa tjetër mbeten ashtu siç kanë qenë. Vërejmë dy tendenca, tendenca tërësisht kontrolluese përmes agjencive shtetërore dhe tendenca e dytë është tendencë që mbetet e njëjtë për mungesën e përgjegjësie së shtetit për të financuar me një grant të pakushtëzuar mësimdhënien në universitetet shqiptare publike. Në universitetet publike mund të ndodhen përpara problemit të rëndë që për shumë pak vite pedagogët të ngelen pa paga”, tha Shehri.

Frymën kontrolluese të ligjit zonja Shehri e sheh në 3 komponentë te Bordi i Akreditimit, Agjencia e Kërkimit Shkencor dhe Qendra e Shërbimeve të Arsimit janë të kontrolluar nga të emëruar shtetërorë.

“Bordi i akreditimit miratohet nga kryeministri, që do të thotë agjencia e akreditimit varet nga ky bord, që varet nga kryeministri. Po ashtu edhe Agjencia e Kërkimit Shkencor është një agjenci e cila varet thellësisht nga shteti. Duke u varur nga shteti lë evazive kriteret mbi të cilat do të bëhet rankimi edhe në mënyrën si është i ndërtuar neni që lidhet me agjencinë shtetërore të Arsimit, është një nen që i lë mundësinë akteve të tjera nënligjore, të cilat mund ta shndërrojnë dalëngadalë edhe atë nga një agjenci që koordinon në një agjenci e cila fillon të kontrollojë”, shtoi Shehri.

Shefja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri deklaroi se rekomandimet e tyre bëhen që universiteti të mos humbasë të drejtat që ka fituar deri më sot por të thellojë autonominë dhe mos krijojë pabarazi.

Ndryshimet në projektligjin për arsimin e lartë nuk ndryshojnë frymën e ligjit por mbajnë të pandryshuar parimet kontrolluese shtetërore. Ndaj Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë i ka dërguar Ministrisë së Arsimit rekomandime të reja. Pedagogia e këtij fakulteti Dhurata Shehri deklaron se mungesa e përgjegjësisë së shtetit për financimet dhe kontrolli shtetëror mund të çojnë në mbylljen e fakulteteve publike.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: