Partizani mori fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe duke përfituar edhe nga ndalesat e rivalëve jo vetëm është ngjitur në vendin e katërt, por është afruar edhe me vendin e tretë dhe të dytë.

Të kuqtë ndodhen më afër se kurrë në zonën evropiane dhe këtë mund ta realizojnë edhe me pozicionin aktual në Superligë. Prandaj ndeshja e kthimit gjysmëfinale të mërkurën në Kupën e Shqipërisë në Shkodër kundër Vllaznisë mund të quhet finalja e Evropës për Partizanin.

Nëse të kuqtë arrijnë të shkojnë në finale të Kupës, me shumë mundësi do të luajnë me Laçin, që ka fituar 2-1 sfidën e parë në Durrës kundër Teutës. Dhe duke marrë parasysh që kurbinasit janë para Partizanit në kampionat, edhe sikur të humbisnin në finale të kupës, në Evropë shkojnë përmes kampionatit si vend i katërt.

Natyrisht, të besuarit e Dritan Mehmetit do të kërkojnë të fitojnë trofeun e kupës, si dhe do të luftojnë fort deri në fund për vendin e tretë në kampionat, por gjysmëfinalja me Vllazninë kthehet jetike për pjesëmarrjen në Evropë. E njëjta gjë vlen edhe për shkodranët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb