Në 25 Maj, kur do të luhet finalja e Conference League, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk do të ketë incidente në kryeqytet. Në një intervistë për Top News, ai tha se forcat e rendit i kanë dhënë provat për menaxhimin e situatave të tilla dhe se ajo ditë do të jetë një ditë feste për Tiranën.

“Besoj shumë tek kapaciteti, profesionalizmi i Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Kanë menaxhuar situata nga më të ndryshmet. Nuk kemi pasur frikë kur ne, mes shqiptarësh, kemi djegur qytetin. Mua më dhimbset qyteti kur ata që jetojnë në Tiranë, për të kapur një seli partie, brenda të njëjtit lloj, djegin godinat. Kurse, për të huajt është shumë kollaj! Ua pres fletën e gjobës me shumë kënaqësi kujtdo që dëmton Tiranën. Qyteti ka kaluar disa shkulme vandalizimi e ekskursione të dhunshme dhe ne kemi treguar se në 15 minuta e kthejmë situatën në vend,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se, për më tepër, prania e dy kryetarëve të bashkive të Romës dhe Rotterdamit, do të bëjë që tifozeria e tyre të tregojë më shumë qytetari, pavarësisht rezultatit.

“Prania e kryetarit të Bashkisë së Roterdamit dhe të Romës jep një mesazh se qytetet tona janë të rëndësishme, janë hapësira që i duam edhe pas ndeshjes, janë hapësira që iu përkasin të gjithëve, janë territore demokratike, ku të gjithë ndihen të barabartë. Ndoshta, njerëzit mund të kenë shtëpi dhe makina të ndryshme, por kur zbresin në shesh, kur zbresin në Bulevard, kur shkojnë në stadium, ulen në të njëjtat sedilje, shkelin në të njëjtat pllaka, ecin në të njëjtin asfalt. Kështu që, për të gjitha këto arsye, qytetet janë hapësirat më demokratike. Ndaj, patjetër që duhet t’i ruajmë dhe nuk rresht së thëni: Po, këtu na duhet ndihma e të gjithëve, jo vetëm e tifozëve të Fejnordit dhe të Romës! Na duhet edhe ndihma e qytetarëve të Tiranës. Secili mund të ndihmojë në një mënyrë, të paktën duke mos e marrë makinën atë ditë,” u shpreh ai.

Veliaj bëri të ditur se atë ditë në Tiranë do të këtë 3 Fan Zone, nga një për secilën tifozeri, dhe një në sheshin “Skënderbej” për ata që nuk bëjnë tifo për asnjë ekip, por duan të shijojnë atmosferën.

“Zona e fansave të Romës, duke qenë se ata kanë pjesën jugore të stadiumit, zona e tyre e fansave do të jetë tek Amfiteatri i Liqenit. Ndërkohë, tifozët e Fejnordit do të jenë tek pedonalja, duke qenë se ata hyjnë nga pjesa veriore e stadiumit. E gjithë pedonalja e Tiranës, duke filluar nga Parlamenti deri tek Ministria e Brendshme dhe Galeria e Arteve, do të jetë pjesa e Fan Zonës së holandezëve. Do të ketë edhe një Fan Zone të përbashkët, pa ngjyra tifozerie në sheshin “Skënderbej”” deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: