Itali-Angli, kjo është sfida që të gjithë presin, e që do të luhet më 11 korrik në Wembley. Trajnerët e të dyja ekipeve po mendojnë detajet e fundit për këtë sfidë të rëndësishme, ndërsa lojtarët, krahas stërvitjes, mendojnë dhe të motivojnë shokët e tyre.

Këtë linjë ka ndjekur Leonardo Bonucci. Mbrojtësi, ka karikuar shokët e ekipit, duke thënë se fakti që luajnë në Wembley të Anglisë nuk i tremb aspak. Madje, as arbitri. Kjo gjë lidhet me ndeshjen mes Anglisë dhe Danimarkës, ku arbitri i takimit, akuzohet nga analistët e tifozët se akordoi një penallti të paqenë për “Tre Luanët”.

“Një fitore të dielën do të jetë diçka e madhe për futbollin italian, për lojtarët, por edhe federatën. Do të linte pas ato vite të vështira, ku kemi vuajtur. Ne po tregojmë që jo vetëm luajmë futboll, por edhe argëtohemi, jemi një grup i bashkuar. Sezoni ka qenë i gjatë, por për këtë, duhet të ketë zero justifikime. Nuk ka lodhje. Ne jemi të gatshëm për të luftuar e për të sjell në shtëpi trofeun.

Do të bëjmë më të mirën tonë, e në fund do të shohim rezultatin. Unë që në fillim të kampionatit, e kam konsideruar Anglinë si favorite. Sulmuesit e tyre janë shumë të fortë, ne, mbrojtësit, duhet të tregojmë shumë kujdes në prapavijë. Ata kanë shpejtësi, fizik. Kane është sigurisht një nga më të rrezikshmit, një nga më të fortët në botë”, tha mbrojtësi.

Bonucci më pas, foli dhe për sulmuesit e ekipit, më konkretisht Immobilen dhe Belottin.

“Ata janë thelbësorë për ne. Fatkeqësisht sulmuesi gjykohet nga golat, por kushdo që luan te ne, është thelbësor për ekipin. Do të japim gjithçka nga vetja. Arbitri dhe Wembley, nuk na trembin”, përfundoi Bonucci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb