Teksa nuk na ndajnë shumë nga finalja e Konferencë Ligës që do të mbahet në stadiumin Air Albania, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i ka bërë thirrje zyrave private dhe bankave që nuk ofrojnë shërbime, që të mërkurën ta bëjnë pushim.

“Ishim në një takim me drejtuesit kryesorë të policisë për të folur për detajet e fundit të organizimit, unë do e quaja, të festës që ka Tirana, me datë 25 maj, pra pasnesër, që me rastin e finales së Conference League-s të kupës europiane, midis Feynordit dhe Romës. Jemi këtu dhe do të jemi këtu për të kthyer atë ditë në një ditë të vërtetë feste për të gjithë Tiranën. Po parashikojmë çdo gjë në detaje në mënyrë që të mos cenohet askush në këtë festë të madhe. Besoj se çdo gjë është nën kontroll dhe do të jetë nën kontroll dhe unë përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë shqiptarëve, që nuk kanë biletë dhe që nuk janë në Tiranë, mos të tentojnë të vijnë atë ditë në Tiranë, pasi Tirana do të jetë në dispozicion të tifozerive, të miqve nga Roterdami dhe nga Roma, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve që kanë një biletë dhe duan të vijnë të shohin ndeshjen, ta shijojnë ndeshjen në stadium.

Gjithashtu përfitoj nga rasti që t’u bëj një thirrje të gjithë bizneseve që nuk kanë lidhje me finalen, pra ato që kanë lidhje janë restorantet, baret, gjithë bizneset e shërbimit, por u bëj thirrje bizneseve të tjera siç janë bankat apo zyra të ndryshme private që ashtu siç ne kemi bërë me institucionet publike apo me shkollat, ta bëjnë dhe ata, pra ta shpallin ditë pushimi, ditën e mërkurë, pasi do të jetë siç thashë e paralizuar për sa i takon qarkullimit të mjeteve, e gjithë Tirana.
Gjithsesi, ne kemi marrë masa që çdo tifoz, çdo mik që vjen nga Roterdami dhe Roma, t’i kenë dyert e hapura dhe t’i ketë të gjitha kanalet e dedikuara, në mënyrë që të aksesojë Tiranën në formë sa më të lehtë edhe sa me të kollajtë. Kështu që këto ditë kemi qenë gjatë gjithë kohës me të gjithë drejtorët, edhe me strukturat e tjera, bashkë me UEFA, me FSHF-në, Bashkinë e Tiranës, që jemi shumë ngushtë në rakordim të të gjithë detyrave që kemi, pikërisht që ditën e mërkurë, edhe të martën, sepse festa fillon që nesër, ta kthejmë në një ditë festë të vërtetë dhe të mos cenojmë asgjë për sa i takon sigurisë së gjithsecilit nga sportdashësit. ”, tha Çuçi.

PYETJE
Pyetje: Cilat rrugë do të jenë të bllokuara? Qarkullimi do të jetë i pamundur dhe kush do të lejohet të lëvizë, duke filluar nga urgjencat?
Ministri Çuçi: Pra, po e përsëris dhe njëherë. Në Tiranë mos hajdeni! Në qoftë se nuk keni një biletë, mos hajdeni ditën e mërkurë në Tiranë, sepse do të jetë e bllokuar. Në Tiranë do të qarkullojnë ata që kanë një biletë, si dhe tiranasit, kuptohet në zonë pedonale e gjitha.
Kështu që unë i dekurajoj të gjithë shqiptarët e tjerë që ditën e mërkurë mos të tentojnë të vinë në Tiranë, sepse Tirana do të jetë në dispozicion thashë të gjithë atyre, miqve në radhë të parë nga Roterdami dhe nga Roma, dhe të gjithë atyre që kanë një biletë dhe duan të vinë të shijojnë ndeshjen, këtë finale të madhe.

Pyetje: A keni patur informacione nga autoritetet italiane apo holandeze në lidhje me tifozë të dhunshëm të cilët mund të vijë në Shqipëri? Dhe nëse po, si do të veprohet me ta ? Do të ndalohen në aeroport apo do të mbahen në vëzhgim?
Ministri Çuçi: Ne kemi kohë që punojmë në bashkëpunim me policinë, qoftë të Roterdamit, qoftë të Romës. Na janë bashkuar këto ditë ekipe dhe nga Roterdami, dhe nga Roma, të policisë së tyre, në mënyrë që të koordinojmë të gjithë veprimet për të parandaluar [do situatë të pakëndshme.
Sigurisht ne nuk mund të ndalojmë njerëz të hyjnë në Shqipëri dhe të vijnë të shijojnë, por do marrim masa që të parandalojmë çdo akt dhune apo çdo nxitës dhune, në mënyrë që mos të degradojë pastaj në probleme të tjera që i kemi parë në të gjithë finalet në Europë apo në botë edhe ndodhin situata të tilla. Pra kemi marrë të gjitha masat për ta parandaluar këtë gjë. E thashë, pjesë të ekipit tonë janë edhe përfaqësues të policisë qoftë të Roterdamit, qoftë të Romës.

Pyetje: Z. Ministër, evenimente të tilla sigurish që kanë edhe një trafik të shtuar të automjeteve pasi shumë prej tifozëve do vijnë me mjetet e tyre, por marrin edhe me automjete me qira. Është menduar një vend i dedikuar për parkim apo hapësira të dedikuara gjatë rrugëve të kryeqytetit?
Ministri Çuçi: Absolutisht po, ndaj thashë, në mënyrë që ta administrojmë sa më mirë atë ditë, ne e kemi shpallur si ditë ku bllokohet qarkullimi i automjeteve në Tiranë dhe hyrja për Tiranë dhe i dedikohet vetëm atyre që kanë një biletë apo që vijnë për të parë, për të shijuar ndeshjen qoftë nga Roterdami, qoftë nga Roma.
Kemi pa diskutim hapësira të dedikuara për parkimin e autobusëve, që do të vijnë në mënyrë të organizuar qoftë nga Durrësi, qoftë nga Rinasi. Kemi hapësira të dedikuara për të lënë mjetet e vogla pra vetura për çdo sportdashës i huaj në radhë të parë që do vijë ta shijojë, por edhe ata shqiptarë që do të vijnë ta shijojnë në stadium, ndeshjen.
Kështu që harta është e plotë, sigurisht do bëhet publike, por e gjithë struktura jonë e Policisë në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ka koordinuar çdo gjë në mënyrë që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë në lidhje me trafikun që do kemi atë ditë. Edhe diçka tjetër kemi marrë masa që i gjithë fluksi i jashtëzakonshëm dhe i paparë ndonjëherë për Shqipërinë për sa u takon fluturimeve që do të kemi brenda një kohe fare të shkurtër, brenda ditës, të datës 25 maj, të menaxhohet gjithë ky fluks njerëzish që do vijnë, të menaxhohet në mënyrën më perfekte, në mënyrë që të mos kemi asnjë situatë që do të sillte, qoftë në vonesë apo qoftë një rrëmujë që mund të shkaktohej në këto raste të pritshme. Pra besoj se koordinimi deri tashti ka qenë i plotë.

Pyetje: Kategoritë e punonjësve si mjekët, gazetarët apo të tjerë të ngjashëm, a do të lejohen të kalojnë me ndonjë autorizim apo diçka tjetër?
Ministri Çuçi : Ata që do të jenë në punë, nuk diskutohet që do lejohen, sikundër, edhe kush do të dalë nga Tirana, do të ketë kanalet e daljes. Por ajo që do të bllokohet, është hyrja dhe qarkullimi brenda në Tiranë.

Pyetje: Ne kemi pak hallin tonë (si media) z.Ministër?
Ministri Çuçi: Vetëm ju mos kini hall, se ju, me një mikrofon, nuk keni nevojë as për një autorizim… sepse s’besoj se ju kanë ndaluar ndonjëherë, edhe në situata të pandemisë, edhe në situatat më të vështira që ka pasë gjatë asaj kohe, nuk ju ka ndaluar njeri. Kështu që ju e keni atë “kartabiankën”…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb