Në një mbrëmje plot emocione dhe konkurencë të fortë, u zhvillua Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, me një finale që mblodhi së bashku nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore si dhe përfaqësues nga partnerët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Është emocion i madh të jem në momentin final të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një konkurs që i bë realitet falë angazhimit të nxënësve, mësuesve por edhe prindërve. Ky Konkurs është një iniciativë që ne duam ta zhvillojmë vit pas viti dhe ta kthejmë në traditë sepse gjuha që është identiteti ynë kombëtar, të çohet në majat më të larta, aty ku i takon të jetë dhe kjo nuk ka ku bëhet më mirë se aty ku mësohet gjuha, në shkollat tona. Në Vitin e Gjuhës Shqipe që ne e kemi shpallur me plot aktivitete që mbrojnë dhe promovojnë gjuhën shqipe ishte dhe ky konkurs që ka angazhuar më shumë se 900 shkolla dhe më shumë se 11 mijë nxënës dhe ishte një motorr i madh gëzimi dhe feste, ndaj dhe këtë ditë unë do ta quaja një festë të madhe për triumfin e gjuhës shqipe. Në këtë konkurs të gjithë janë fitues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në finale përballen dy shkollat finaliste që gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë, shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” nga Tirana dhe shkolla 9-vjeçare “Rilindja” nga Kavaja.

Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund duke e mbajtur publikun në ankth deri në fund, ku juria shoalli fitues shkollën “Rilindja” dhe me vetëm 1 pikë diferencë në vend të dytë u rendit shkolla “Jeronim de Rada”.

Gjatë të gjithë procesit, përfshirë ndeshjet gjysmëfinale dhe finale, shkollat u vlerësuan nga një juri profesioniste që përfshinte figura të njohura të gjuhësisë dhe medias: Linda Mëniku, pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, gazetar dhe themelues i Unionit të Gazetarëve; dhe Oriana Osmani, mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Tema e konkursit për këtë vit ishte “Gjuha shqipe si identitet kombëtar, kulturor dhe mjet komunikimi në epokën e teknologjisë”.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe 2024. Gjithashtu ky vit shënon dhe një ngjarje me rëndësi historike, 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Të dyja këto ngjarje kanë qenë në fokus të Konkursit të Gjuhës Shqipe. Konkursi u mbështet nga partnerët e MAS: Këshilli i Europës, British Council, UNICEF, Save the Children dhe World Vision, në bashkëpunim me RTSH.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb