Shpesh thuhet se personalitetet e futbollit janë modele roli, ose të paktën duhet të jenë. Dhe kudo nëpër botë, për të gjithë tifozët e futbollit, sidomos në kompeticione kaq të mëdha sa Kupa e Botës, ekziston një model, qoftë futbollist i veçantë, qoftë skuadra në vetvete, me të cilin ata përfaqësohen dhe brohorasin.

Shqipëria vetë mungonte në këtë kompeticion (asnjëherë nuk ka qenë pjesë e një Kampionati Botëror), por ndërkohë dy skuadra zemre munguan që në nisje: Italia dhe Holanda. Gjatë zhvillimit të këtij kompeticioni, i cili cilësohet si ‘Botërori i Çudirave’, të gjithë skuadrat të cilat ishin pretendente për fitore nga vlerësues dhe ekspertë të ndryshëm, zhgënjyen. Gjermania nuk e kaloi fazën e grupeve, Brazili u eliminua nga Belgjika, Spanja nga Rusia, Portugalia nga Uruguai, shkruan “monitor”.

“Magjia” ndodhi, Kroacia, pasi u kualifikua për në gjysmëfinale pas fitores ndaj Rusisë, “të zotëve të shtëpisë”; korri një tjetër fitore, atë që i dhuroi biletën e finales, falë rezultatit 2-1 me Anglinë në kohë shtesë.

Një skuadër nga Ballkani, Kroacia, është për herë të parë në një finale Botërori, basti 50/50 e së cilës është që të fitojë 38 milionë dollarë (çmimi i konfirmuar nga FIFA, 40% më shumë se sa ai i Kupës së mëparshme të Botës në Brazil 2014).

Çfarë mësojmë ne nga Kroacia?
Kroacia po shfaqet në finalen e parë të Kupës së Botës. Kroacia mundi Anglinë 2-1 falë golit të Mario Mandzukic në kohën shtesë. Kjo nuk ka qenë fitorja e vetme për Kroacinë, e cila fitoi dy ndeshje të tjera kundër Danimarkës dhe Rusisë përmes penalltive.

Kroacia hapi shanset gjatë Botërorit për ta fituar atë, gjë që asnjë parashikim nuk e kishte dhënë më parë apo gjatë kompeticionit. Atë që ekspertët e fushës theksojnë që Kroacia mund t’u mësojë të gjithë skuadrave të tjera është: shkathtësia, fryma e grupit dhe vendosmëri e hekurt.

Lokalet kryesore në Tiranë konfirmuan që në gysmëfinale, pjesëmarrja e të rinjve kryesisht ishte tepër e lartë, ku 90% e tyre ishin tifozë të Kroacisë. Sipas tyre, kjo vjen për disa arsye: solidariteti me një skuadër nga Ballkani, performanca e mirë e tyre në këtë kompeticion, si dhe “armiqësia” me skuadra si Serbia, për të cilën ende ruajmë rezerva pas ndeshjes së ‘famshme’ të shfaqjes së dronit.

Drejtuesit e lokaleve pohojnë se presin që të kenë një pjesëmarrje të konsiderueshme në finale, ndonëse orari i nisjes së ndeshjes (17:00) dhe përkimi me një ditë fundjave (e diel) nuk është shumë favorizues pasi pjesa më e madhe do të jenë jashtë Tirane duke pushuar.

Përmbledhje:

Çfarë është?
Finalja e Kupës së Botës, Rusi 2018 mes Francës dhe Kroacisë.

Kur është finalja e Kupës së Botës 2018?
Këtë vit, finalja e 21-të e Kupës se Botës do të zhvillohet të dielën, më 15 korrik 2018.

Kur fillon?
Ndeshja do të fillojë në 5:00 pasdite.

Ku do të zhvillohet finalja?
Stadiumi Luzhniki në Moskë do të presë finalen në Kupën e Botës 2018. Në Rusi është organizuar më parë Olimpiada e vitit 1980, finalja e Kupës UEFA 1999 dhe finalja e Ligës së Kampionëve, më 2008.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb