TIRANË

Kryeministri Edi Rama e krahasoi formalizimin e ekonomisë dhe ngritjen e sistemeve të financave me procesin e rindërtimit. Ai tha se është hedhur karabinaja por se ende nuk janë të banueshme, duke hedhur sytë tek mandati i tretë dhe justifikuar këtë kërkesë për vijimin e punës.

Rama tha se për sa i përket llogarive të shtetit, situata ishte si pas tërmetit.

“Është një imazh që mund të ndihmojë lehtësisht për të kuptuar si e hsohim ne të sotmen krahasuar me të djeshmen dhe në raport me të ardhmen. Duke sjellë krahasimin me rindërtimin mund të thuhet se nëse sot kantieret tona të rindërtimit dhe secili le të sjellë me imagjinatën e tij parasysh Laçin apo Fushë-Krujën apo Thumanën, apo cilindo tjetër kantier, janë faktikisht një pasqyrë e një situatë ku është vendosur e gjitha infrastruktura nëntokësore, janë vendosur themelet, janë ngritur karabinatë, por faktikisht nuk është ende një situatë e banueshme, në sensin e funksionalitetin e plotë të atyre godinave për të cilat vazhdon puna që të pajisen me të gjitha sistemet e brendshme dhe përfundimisht nga kantiere të kthehen në vendbanime. Kjo është situata edhe në këtë sektor dhe çdo sektor. Por ama krahasuar me të djeshmen, është një situatë qartësisht e ndryshme dhe është një situatë ku qartësisht mund të shihet e nesërmja, ndërkohë që e djeshmja ishte si situata pas tërmetit. Si situata pas tërmetit ishte dhe situata e llogarive të shtetit, ishte dhe situata e të gjitha të dhënave në aspektin ekonomik dhe fiskal”, tha Rama.

Ai mori në analizë dhe premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. duke iu referuar regjistrit të punës, Rama tha se janë 225 mijë punonjës më shumë se në 2013.
“Unë po e nis nga një e dhënë pasi është një këngë e përsëritur dhe natyrshëm, kuptueshëm e përsëritur për qëllime propagandistike.
Ne kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe sot thjesht duke iu referuar shifrave, jo anketimeve, jo statistikave të nxjerra nga anketimet, por shifrave të regjistrit të punës në Republikën e Shqipërisë, hapeni dhe shikojeni, ju që jeni ndërmjetësit mes palëve në skenën politike apo në mexhelisin e debatit publik dhe qytetarëve. Thojuni njerëzve nëse është apo nuk është e vërtetë që në regjistrin e punës të Republikës së Shqipërisë në vitin 2013 kishte 473 506 vetë të regjistruar dhe në fund të 2019 kishte 698 235 punonjës të regjistruar, janë apo nuk janë 225 mijë më shumë që paguhen dhe paguajnë sipas vendit të punës së tyre”, deklaroi Rama.
Ai pyeti se ccfarë duhet të zgjedhin qytetarët.
“Kthimin mbrapa apo vazhdimin e kësaj pune, që do të thotë largim përfundimtar të elementit abuziv, vendosjen në një sistem tjetër ku punën e garantimit të marrëdhënies mes biznesit si prodhues të ardhurash dhe si kontributor për shtetin nuk e bën një ushtri inspektorësh por një sistem inteligjent ku fokusi është fiskalizimi. Sot ne kemi faktikisht kursyer çerek milion orë për marrëdhëniet biznes shtet në aspektin e radhëve, të pritjeve, të marrjes së përgjigjeve duke i kaluar një pjesë të madhe të komunikimeve dhe kontakteve me shtetin online. Por ama është një punë në mes. Ne dimë jo vetëm shumë mirë si vazhdon por kemi hedhur të gjitha piketat. Të gjitha sistemet e domosdoshme për ta bërë një karabina një mjedis komod, duke filluar nga energjia, interneti, nga uji, dritat e kështu me radhe janë faktikisht në rrugën e vendosjes njëra pas tjetrës. Ajo që ne do të realizojmë është që brenda 4-vjeçarit të ardhshëm gjithçka do të jetë online për biznesin. marrëdhënia biznes-qeveri, biznes-biznes dhe biznes-qytetar”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb